Për dorëheqjen e kryetarit të bordit të Telekomit të Kosovës, Petrit Nahut, tashmë është njoftuar edhe Zyra e Kryeministrit.
Një gjë të tillë është bërë të ditur për Gazetën Insajderi përmes një përgjigje me shkrim nga Ministria e Ekonomisë, pa dhënë shumë detaje për arsyet e dorëheqjes.
“Në vijim të interesimit tuaj lidhur me dorëheqjen e Kryesuesit të Bordit të Drejtorëve të Telekomit të Kosovës, z. Petrit Nahi, ju njoftojmë se dorëheqja e tij është dorëzuar dhe pranuar zyrtarisht nga institucionet kompetente. Pretendimi se dorëheqja nuk është pranuar nuk qëndron. Pas pranimit të dorëheqjes nga Ministria e Ekonomisë, zyra e Kryeministrit është njoftuar sipas procedurave të parashikuara ligjore për ndërmarrjet publike“, thuhet në përgjigjen e ministrisë.
Gazeta Insajderi me burime raportoi se arsyet e dorëheqjes kanë qenë pakënaqësitë e krijuara me menaxhmentin aktual në Telekomit të Kosovës, ku bëjnë pjesë kryeshefja, Burbuqe Hana dhe zyrtari kryesor i financave, Feim Kelmendi.
Insajderi kishte kontaktuar dy herë rresht Telekomin e Kosovës për ta pyetur fillimisht me dorëheqjen e kryesuesit të bordit, Petrit Nahin, si dhe arsyet e dorëheqjes. Të njëjtit kanë thënë se s’kanë marrë njoftim për një gjë të tillë.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Nahin në telefon për ta pyetur për dorëheqje, por i njëjti s’ka pranuar ta komentojë.
Insajderi po ashtu ka dërguar pyetje edhe për anëtarët e tjerë të bordit, mirëpo deri në momentin e publikimit të këtij artikulli s’ka marrë ndonjë përgjigje.
Qeveria Kurti më 24 korrik të 2024-ës kishte zgjedhur bordin e ri të Telekomit të Kosovës, të përbërë prej: Petrit Nahi- kryesues; Rrezarta Pllana- anëtare; Sajmie Thaçi- anëtare dhe Lindita Toçi- anëtare.
Mandati i Bordit të Drejtorëve në Telekomin e Kosovës është tre-vjeçar. /Insajderi.org/