×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Udhëheqësit politikë shqiptarë në Ballkan nuk duhet të mbajnë anë në zgjedhjet presidenciale në SHBA

    Insajderi
    19 October 2020 - 23:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga Harry Bajraktari

    Udhëheqësit politikë shqiptarë nuk duhet të përzihen në zgjedhjet presidenciale në SHBA. Duhet t’ia lënë popullit amerikan që të vendosë dhe të respektojnë zgjedhjen e tyre. Nga një anë, këto deklarata nuk kanë shumë peshë, sepse shumica e shqiptaro-amerikanëve e kanë vendosur me kohë se për kë do të votojnë. Nga ana tjetër, nëse fiton kandidati tjetër mund të krijohen situata të pakëndshme e të panevojshme.


    E vetmi qendrim i pranueshëm është që të deklarojnë se do të bashkëpunojnë ngushtë me Shtetet e Bashkuara, kushdo që të zgjidhet president në 3 nëntor

    Kështu veprohet mes miqve dhe aleatëve. Në mbarë Europën, në Japoni, Kanada, Australi etj, miqtë dhe aleatët e SHBA-së, udhëheqësit tregojnë vetpërmbajtje dhe nuk komentojnë publikisht. Është edhe shenjë mirësjellje.


    Miqësia me Shtetet e Bashkuara është e shenjtë për kombin shqiptar. Ajo nuk guxon të personalizohet. Shqipëria dhe Kosova kanë një marrëdhënie të veçantë me Amerikën. Shqiptarët kudo ku jetojnë në trojet e tyre autoktone kanë gjetur të Amerika mbështetjen më të madhe për të drejtat e tyre njerëzore dhe kombëtare që të mund të jetojnë me dinjitet.
    Kjo marrëdhënie nuk duhet të varet nga cila parti politike vjen në pushtet apo cili politikan vendoset në krye të vendit. Nuk do të ndryshojë nëse kemi një Administratë të Dytë Trump apo një Administratë Biden. Shqipëria, Kosova dhe shqiptarët kudo që jetojnë janë gati të respektojnë çdo vendim të popullit amerikan. Asnjë hije dyshimi nuk duhet të ketë mbi këtë.
    Kështu vepron edhe SHBA sa herë që ka zgjedhje në Shqipëri, Kosovë, apo ku jetojnë shqiptarët. Gjithmonë deklarojnë se do të punojnë me këdo që do të dalë nga zgjedhjet.


    Sa përfshihen në punët e Amerikës, udhëheqësit shqiptarë duhet të merren më mirë me problemet e shumta që ka populli aty ku jetojnë. Nga Tirana, në Prishtinë, në Tetovë, Shkup, Ulqin, Tuz apo Preshevë ka kaq shumë probleme të pazgjidhura saqë nuk ka vend t’ia qajmë hallin Amerikës se kë po zgjedh. Le ta shpenzojnë kohën duke u marrë me korrupsionin, demokracinë, vendet e punës dhe ekonominë, mbrojtjen e trashëgimisë kulturore dhe sigurinë e kufijve në trojet tona.


    Amerika nuk ka nevojë për këshilla se di të kujdeset për veten. Ajo ka nevojë për vende aleate që i zgjidhin problemet e tyre e i qendrojnë në përkrah.

    Harry Bajraktari është themelues dhe botues i gazetës Illyria (1991-1998), një drejtues i komunitetit shqiptaro-amerikan, filantrop dhe përfitues i shumë çmimeve, duke përfshirë Nderin e Urdhrit të Kombit nga Presidenti i Shqipërisë, Medaljen Presidenciale të Kosovës për Meritat si dhe Çmimin nga Shtëpia e Bardhë “Thirrja e Presidentit për Shërbim”.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark