Uji në Deponë Qendrore ku ruhen barnat, MSH thotë se nuk janë dëmtuar - Insajderi
×
  • Lajme
  • Lajme

    Uji në Deponë Qendrore ku ruhen barnat, MSH thotë se nuk janë dëmtuar

    Insajderi
    12 December 2023 - 12:09
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Shëndetësisë i ka mohuar zërat se ka pasur dëmtim të pakove të barnave që ruhen në Depon Qendrore në Pallatin e Shtypit, si pasojë e vërshimeve pas reshjeve të fundit. Ata kanë pranuar se ka pasur deponim të ujit mbi depo si pasojë e mbylljes së gypit, por se uji nuk ka depërtuar brenda hapësirës ku ruhen barnat.

    Depoja Qendrore e Barnave që gjendet brenda kompleksit të Pallatit të Rilindjes u raportua se këtë javë u vërshua nga uji si pasojë e reshjeve të shiut dhe se pati dëme edhe në pakot e barnave që ruhen aty. Gjendja e barnave aty u cilësua alarmante. E një gjë e tillë u mohua nga Ministria e Shëndetësisë.

    Në një përgjigje për express, nga ky dikaster qeveritar thanë se kjo nuk qëndron dhe se pakot me barna as që kanë qenë në kontakt me ujin.

    “Me plot siguri ju themi se kjo nuk qëndron, sepse nuk ka pasur pako të barnave në ujë, e as në kontakt me ujin”, thuhet në përgjigjen e tyre.

    Ndërkaq ata konfirmuan se në këtë objekt ka pasur deponim të ujit mbi depo si pasojë e mbylljes së gypit.

    Ujë sipas tyre nuk ka pasur brenda hapësirës.

    “Në objektin ku gjendet Depoja e Barnave të Ministrisë së Shëndetësisë, për shkak të reshjeve ka pas deponim të ujit mbi depon si shkak i mbylljes së gypit (vertikales , ujëmbledhësit), mirëpo jo në hapësirën brenda në depo. Menjëherë është intervenuar nga punëtorët e mirëmbajtës dhe është sanuar ky problem”, thuhet tutje në përgjigje e tyre.

    Depoja Qendrore ndodhet brenda kompleksit të Pallatit të Rilindjese cila ishte hapur më 2009, kur ministër i Shëndetësisë ishte Alush Gashi.

    Kritika për gjendjen në shëndetësi javën që shkoi pati ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

    Ai tha se gjendja në sistemin e shëndetësisë ka degraduar.

    “Ka keqmenaxhim, ka korrupsion”, theksoi Zemaj, ndërsa tha se njerëzit janë duke vuajtur për barna.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark