Jehona Guri nga fshati Nikaj i Kaçanikut pati në orët e para të së martës disa probleme shëndetësore.
Ato ajo beson se iu shkaktuan nga uji që kishte konsumuar gjatë ditës.
“Në 5 në mëngjes kom pasë tërë kohën vjelle edhe shumë mundim edhe imunitet nuk kam pas hiq, ka qenë një situatë e pa përshkrueshme.” tha Guri.
Si kësaj 19 vjeçe i ngjau edhe motrës së saj, por jo edhe babait, pasi ky nuk e konsumoi ujin e çezmës.
“Nuk e përdori, qe një kohë me ujë të blemë, ujë të mirë të shitores kam pi, se është më i mirë më i pastër më kualitet.” Fahri Guri, banor i fshatit Nikaj, Kaçanik
Që nga 5 korriku mbi 300 persona kanë kërkuar ndihmë në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Kaçanik me simptoma të helmimit, mirëpo asnjë nuk është hospitalizuar.
Ata ishin kryesisht nga fshatrat Nikaj, Biçec, Doganaj, Dubravë e Rekë dhe besonin që ishin sëmurë pasi kishin konsumuar ujë.
E kështu edhe doli në analizat që bëri Instituti i Shëndetësisë Publike, duke marrë monstra të ujit në shtëpi të ndryshme, madje edhe tek familja Guri.
Ministria e Shëndetësisë njoftoi të premten se analizat bakteriologjike tregojnë që nuk plotësohen standardet e ujit të pijshëm.
Ndërkohë, deri në eliminimin e problemeve, kaçanikasve u bëhet thirrje që ta vlojnë ujin, ose të shfrytëzojnë resurset e tjera të sigurta.