Ukraina ka dënuar një dekret të nënshkruar nga presidenti rus, Vladimir Putin, që bën të mundur dhënien e nënshtetësisë ruse për fëmijët ukrainas të zhvendosur në Rusi.
Ministria e Jashtme e Ukrainës e quajti dekretin të paligjshëm, megjithatë Rusia këmbëngul se po i largon fëmijët nga rruga e keqe, shkruan BBC.
Ministria e Jashtme ukrainase veçoi pjesën që thotë se fëmijët jetimë ukrainas ose ata të privuar nga kujdestaria prindërore mund të marrin nënshtetësinë ruse me anë të një vendimi presidencial ose pas një kërkese nga institucioni që i mban.
Dekreti thotë se një kërkesë për shtetësi për një fëmijë të tillë mund të dorëzohet nga kujdestari i tyre ligjor ose kreu i një organizate ruse përgjegjëse për fëmijën.
Ministria e Jashtme e Ukrainës e sheh këtë si përpjekje të Rusisë për të zgjidhur krizën e saj demografike, duke e përshkruar atë si shkelje të ligjeve ukrainase dhe ndërkombëtare dhe të drejtave të fëmijëve.
Tutje, ministria thotë se dekreti është edhe më shumë provë e politikës ruse të asimilimit të detyruar të fëmijëve ukrainas dhe krimeve kundër Ukrainës në përgjithësi.