×
  • Lajme
  • Aktuale

    Uljes së pagave gjykatësit e prokurorët i përgjigjen me bllokada, tash e tutje vetëm ‘punë esenciale’

    Insajderi
    23 November 2022 - 21:32
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    “Askush nuk mund të paguhet më shumë sesa pesëfishi i pagës më të ulët në administratën tonë”, këto ishin fjalët e kryeministri Albin Kurtit pas vendimit që parasheh zvogëlimin e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Pak orë pas këtij vendimit Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor i Kosovës kanë vendosur të pezullojnë punën.

    Gazeta Insajderi

    Këshilli Prokurorial dhe ai Gjyqësor ka vendosur që të reduktohet puna në gjykata si dhe të pezullohet bashkëpunimi në çdo aktivitet që organizohet, apo ku janë të pranishëm përfaqësues të Qeverisë së Kosovës.

    Këto vendime janë marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mërkurën, ku kanë qenë prezentë prokurorë e kryetarët e gjykatave.

    Kryesuesi i Këshillit Gjyqësor të Kosovë, Albert Zogaj në një konferencë për medie tha se puna e gjykatave reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale.

    Tutje, Zogaj u shpreh se KGJK-ja në mbledhjen e jashtëzakonshme mori vendim se ky institucion dhe kryetarët e Gjykatave në Kosovë të kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që menjëherë ta anulojë vendimin.

    “Ne e konsiderojmë se ky vendim është ndërhyrje në sistemin gjyqësor. Kemi shprehur qëndrimet tona në proceset që kanë qenë paraprakisht. Nuk bëhet fjalë për një formë organizimi të niveleve, ndoshta qeveria mund të diskutojë. E vetmja detyrë e qeverisë është me suportu KGJK-në”, tha ai para gazetarëve.

    Nëse Qeveria e Kosovës nuk reflekton, kryesuesi i Këshilli Gjyqësor tha se nuk do të tërhiqen nga ky vendim dhe se do të ketë masa të tjera.

    “Nëse Qeveria e Kosovës nuk e shfuqizon vendimin, KGJK-ja do të vendosë më 8 dhjetor për masat e tjera”, shtoi ai.

    Ulja e pagave bëri që te veprojnë njësoj edhe Këshilli Prokurorial i Kosovës, të reduktojnë punën.

    Kryesuesi i KPK-së, Jetish Maloku tha se përgjysmimin i pagave të prokurorëve është vendim kundërkushtetues dhe ndërhyrje flagrante në pavarësinë e sistemit prokurorial.

    “Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund të komunikatës.

    Në këtë takim, morën pjesë edhe kryeprokurorët e prokurorive.

    Në këtë takim, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka nxjerrë vendim ku kërkon nga Qeveria Kurti që menjëherë të anulojë vendimin për uljen e pagave.

    “Në ndërkohë, puna e prokurorive do të reduktohet dhe do të vazhdojë vetëm me shërbime esenciale, po ashtu Këshilli dhe prokuroritë do të pezullojnë të gjitha format e bashkëpunimit me përfaqësuesit e Qeverisë së Republikës së Kosovës. Nëse ky vendim nuk shfuqizohet deri me datë 08 dhjetor 2022, Këshilli do të do të vendosë për masa tjera më radikale”, thuhet në fund të komunikatës.

    Lidhur me vendimin e Kurtit, ka reaguar edhe Oda e Avokatëve të Kosovës.

    Në reagimin e tyre thuhet se “pushteti Ekzekutiv, duhet të mbështes pa kushtimisht sistemin e drejtësisë pa dallim, e veçanërisht të krijoj politika që ky sistem të ketë pavarësi financiare”.

    Sipas OAK, duhet theksuar se zbritja e pagave për Gjyqtarë dhe Prokuror nënkupton kthim prapa, derisa do të shtohet rreziku i rënies së të interesuarve për të punuar në këto pozita.

    “Pasojat e tilla do të bien në kurriz të qytetarit, sepse mund të ketë rënie edhe të efikasitetit dhe vullnetit e përkushtimit në punë”, thuhet ne reagimin e tyre.

    Për OAK-un, është detyrim i shtetit që të ofroj garanci për krijimin e kushteve ligjore dhe financiare për një sistem të drejtësisë sa më efikas dhe në të mirë të të drejtave të qytetarëve.

    “Oda e Avokatëve të Kosovës, bënë thirrje Qeverisë së Republikës së Kosovës që ta trajtoj me seriozitet këtë çështje, pasi që paga është e drejtë themelore e secilit individ dhe e cila duhet të jetë e përputhshme me përgjegjësitë e secilit, ashtu që Gjyqtarët dhe Prokurorët meritojnë të kenë paga të dinjitetshme”, përfundon komunikata e Odës së Avokatëve, dërguar mediave.

    Në vitin 2017, kryeministri i atëhershëm i Kosovës, Ramush Haradinaj, pati marrë vendim për rritje 100 për qind të pagave për kabinetin qeverisës.

    Me rritjen e pagave për zyrtarët e Qeverisë, rriten edhe pagat e gjyqtarëve dhe prokurorëve.

    Më 2020, Kurti e pati shfuqizuar këtë vendim, mirëpo atëherë nuk janë prekur pagat në sistemin e drejtësisë.

    Sipas Institutit të Kosovës për Drejtësi, paga mesatare mujore e punëtorëve të sistemit të drejtësisë arrin në deri 2.200 euro.

    Ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës – për një ulje të tillë pagash – ka reaguar edhe shoqëria civile, duke thënë se ulja e pagave për sistemin e drejtësisë paraqet ndërhyrje në drejtësi dhe rrit potencialin për korrupsion, prandaj ka kërkuar anulimin e vendimit.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark