Ultimatum i ri për Katarin – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Ultimatum i ri për Katarin

    Insajderi
    03 July 2017 - 08:33
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Arabia Saudite dhe tre shtete të tjera arabe u pajtuan që t’i japin Katarit edhe 48 orë kohë për të pranuar një listë kërkesash – në të kundërtën, do të përballet me sanksione të reja.

    Televizioni Al-Arabiya tha se marrëveshja për zgjatjen e afatit u bë në përgjigje të kërkesës së emirit të Kuvajtit, i cili është ndërmjetësues në mospajtimet midis Katarit dhe Arabisë Saudite, Egjiptit, Bahrejnit, Emirateve të Bashkuara Arabe dhe të tjerëve.

    Sauditët dhe aleatët e tyre i kanë ndërprerë të gjitha lidhjet diplomtike dhe të udhëtimit më Katarin, duke e akuzuar Dohan për mbështetje të terrorizmit dhe për afërsi me rivalin rajonal – Iranin. Katarasit i kanë hedhur poshtë akuzat.

    Më 23 qershor, Riadi dhe aleatët kanë krijuar një listë prej 13 kërkesash dhe i kanë dhënë Katarit kohë për t’u përgjigjur deri në mesnatën e 2 korrikut.

    Në mesin e kërkesave janë ndërprerja e mbështetjes financiare për terrorizmin, mbyllja e rrjtetit televiziv Al Jazeera, ndërprerja e shumicës së lidhjeve me Iranin dhe mbyllja e një baze ajrore turke – në të kundërtën, Katari kërcënohet me izolim të mëtejshëm.

    Emiri i Kuvajtit, Sheikh Sabah al-Ahmad al-Sabah, tha të hënën se ka marrë përgjigje formale nga Katari dhe se ka kërkuar nga vendet arabe që të zgjasin afatin për të edhe 48 orë.

    Emiri i Kuvajtit nuk tregoi për natyrën e përgjigjes së Katarit. Por, gjatë një vizite në Romë, më 2 korrik, ministri i Jashtëm kataras, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman Al Thani, i refuzoi kërkesat e fqinjëve dhe tha se ato janë shkelje e sovranitetit të Katarit.

    Doha, megjithatë, ka thënë se është e gatshme të diskutojë për çështjet që i kanë ngritur fqinjët arabë.

    Sanksionet tashmë kanë shkaktuar trazira në Katar, vend i pasur me naftë dhe me gaz, por që varet nga importet për përmbushjen e nevojave të popullsisë 2.7 milionëshe. Irani dhe Turqia kanë rritur furnizimet atje me ushqime dhe mallra të tjera.

    Ndër sanksionet e mëtejshme potenciale që mund të ndërmerren kundër Katarit është pezullimi i tij nga Këshilli për Bashkëpunim i Gjirit, i cili është i lidhur ngushtë me Shtetet e Bashkuara.

    Këtë Këshill e përbëjnë Arabia Saudite, Emiratet e Bashkuara Arabe, Bahrejni, Katari, Kuvajti dhe Omani.

    Departamenti amerikan i Shtetit e mirëpriti rolin e Kuvajtit për të ndihmuar në zgjidhjen e mosmarrëveshjes dhe u bëri thirrje të gjitha palëve që të ushtrojnë përmbajtje.

    Shtëpia e Bardhë tha se presidenti Donald Trump ka biseduar me liderët e Arabisë Saudite, Katarit dhe Abu Dabit dhe se ka shprehur shqetësimet e tij për mosmarrëveshjen e vazhdueshme.

    Trump përsëriti rëndësinë e ndalimit të financimit të terrorizmit dhe diskreditimit të ideologjisë ekstremiste.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark