Misioni i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, UNMIK, nuk ka nevojë të mbetet më në Kosovë. Ky mision po shihet i padëshirueshëm dhe pengesë për vendin.
Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, ka vlerësuar se UNMIK-u “është në Kosovë për shkak të kundërshtimit rus, që të ndryshohet Rezoluta 1244”, duke e konsideruar zgjatje të ndikimit të Rusisë.
Por në këtë mision në Kosovë nuk pranojnë se për vazhdimin e mandatit të UNMIK ka ndikuar Rusia.
Në një përgjigje përmes postës elektronike që ka marrë Gazeta Tribuna, Jan Malekzade – zyrtar për Informim në UNMIK – ka thënë se shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara vendosin për mandatin dhe funksionet e UNMIK-ut, dhe jo një shtet i vetëm.
“Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara siguron mandatet misioneve e nëpër botë. Kombet e Bashkuara i përbëjnë 193 shtete anëtare, pra, UNMIK-u përfaqëson të gjithë shtetet si të barabarta. Kombet e Bashkuara ndjekin pranimin e neutralitetit sipas statusit për Kosovën”, ka thënë Malekzade. /Insajderi.com