×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    UP-ja me libra të vjetër dhe pa qasje në revista shkencore

    Insajderi
    11 February 2024 - 20:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Nga viti 1968 e deri në vitin 2013. Me librat e publikuar gjatë kësaj kohe shërbehen qindra studentë nëpër disa fakultete të Universitetit të Prishtinës.

    Shumë prej programeve të studimit në këtë universitet publik nuk i kanë publike syllabuset e lëndëve. Por, disa prej tyre – në Fakultetin Ekonomik dhe atë Juridik, si dhe në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike (FIEK) – mund të gjenden online.

    Në syllabusin e publikuar online për lëndën Kompjuterikë në FIEK, libri i përshkruar për “artin e programimit kompjuterik” është publikuar në vitin 1999.

    Përkundër që, viteve të fundit, fusha e shkencave kompjuterike është zhvilluar hovshëm – duke çuar edhe në paralajmërime për rreziqet nga inteligjenca artificiale – studentëve u përshkruhet material rreth 25 vjet i vjetër.

    Njohësja e zhvillimeve në fushën e arsimit, Arbisa Shefkiu, thotë se gjendja në UP sjell “shqetësime të thella dhe sfida”, të cilat, sipas saj, nuk po adresohen me seriozitet nga menaxhmenti.

    “Mungesa e burimeve shkencore dhe literaturës adekuate në bibliotekat e fakulteteve paraqet një pengesë serioze për zhvillimin e njohurive dhe krijimin e një mjedisi të pasur akademik”, thotë Shefkiu për REL-in.

    Ajo beson se rekomandimet e Agjencisë Kosovare për Akreditim të vitit 2020, sipas të cilave duhet të rriteshin investimet në hulumtime, të përmirësoheshin burimet shkencore dhe të zgjerohej bashkëpunimi ndërkombëtar, janë ende relevante dhe “të domosdoshme për të përmirësuar cilësinë e arsimit në UP”.

    “Në këtë kontekst, është e nevojshme që universiteti të kthehet drejt adresimit të këtyre sfidave për të siguruar një mjedis të pasuruar akademik dhe zhvillimin e studentëve. Përmirësimi i këtyre aspekteve do ta kthejë UP-në në një qendër të pasuruar dhe inovative për të gjithë komunitetin”, thotë Shefkiu.

    Studentët, me përshtypje të ndryshme për literaturën

    Studentë të FIEK-ut shprehën mendime të ndryshme për literaturën që u jepet për të studiuar. Një gjë që kishin të përbashkët, ishte dëshira për të mbetur anonimë, nga frika se profesorët mund t’u hakmerren në notë.

    “Literatura është llom”, tha njëri ndër studentët, që po qëndronte para dyerve të fakultetit.

    Një tjetër grup i djemve thanë se, në fakt, literatura e përmendur në syllabus nuk përdoret fare dhe se ata mësojnë nga materialet që i prezantojnë profesorët gjatë ligjëratave.

    Asnjëri prej studentëve nuk ishte në dijeni për revistat e ndryshme shkencore për fushat e tyre të studimit, por disa thanë se mendojnë se literatura është adekuate për mësimet bazë që marrin në fillim të studimeve.

    Universiteti publik në Milton Keynes të Anglisë, Open University, i cilëson revistat shkencore si “burimin e preferuar të informacionit akademik”.

    “Ato zakonisht ofrojnë një perspektivë më aktualen sesa librat shkollorë dhe kanë besueshmëri për shkak të procesit të rishikimit nga kolegët. Artikujt e revistave [‘punimet’] të paraqitur nga studiues, vlerësohen nga ekspertë të fushës përpara se të publikohen”, thuhet në ueb-faqen e këtij universiteti.

    Sipas syllabuseve të publikuara në ueb-faqet e fakulteteve të UP-së, as artikujt shkencorë të publikuar nëpër revista shkencore të qasshme pa pagesë, nuk janë të përfshirë në planet e studimit.

    Abonimet e shtrenjta

    Rreth pesë vjet më parë, Universiteti publik i Kalifornisë në SHBA kishte ndalur abonimin në një prej publikuesve më të famshëm të hulumtimeve akademike, Elsevier, për shkak të çmimit të lartë.

    Deri në vitin 2019, Universiteti i Kalifornisë kishte paguar rreth dhjetë milionë dollarë në vit për këtë abonim.

    Abonimet në publikues të tillë si Elsevier, që ka në pronësi mijëra revista shkencore, u mundësojnë shpeshherë akademikëve edhe t’i publikojnë hulumtimet e tyre në to, e jo vetëm qasje për hulumtim.

    Universiteti i Prishtinës prezantohet si “baza kryesore e kërkimit shkencor në vend”, mirëpo nuk ka ndonjë abonim të tillë.

    Buxheti i Universitetit të Prishtinës, sipas buxhetit të vitit 2024, do të jetë gati 32 milionë euro gjithsej – rreth një milion euro më pak sesa vitin e kaluar.

    Rreth 30 milionë euro vijnë nga grantet qeveritare, ndërsa pjesa e mbetur janë të hyra vetanake të UP-së.
    Projektet e planifikuara për këtë vit, përfshijnë ndërtimin e një laboratori, si dhe ndërtimin dhe renovimin e objekteve të disa fakulteteve.

    Këshilli drejtues i UP-së – ku Ministria e Arsimit emëron katër anëtarë sipas Ligjit mbi arsimin e lartë – i raporton Ministrisë së Financave për shfrytëzimin e buxhetit të ndarë për universitetin.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark