Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Uran Ismaili, ka replikuar me deputetin e Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, lidhur me çështjen e energjisë elektrike.
Ismaili në seancën që po mbahet për energjinë elektrike, e quajti “shthurje të vlerave” lejimin e deputetit Ahmeti që, siç tha ai, të mbajë ligjerata për rrymën nga partia në pushtet, shkruan Insajderi.
“Ka shthurja të vlerave të mëdha, në këtë parlament, më vjen keq, qysh një person i cili e ka emrin në biznes me një njeri që përfiton 22 milionë euro prej energjisë elektrike, del na fol neve për moral, na thotë neve ka pasur njerëz në të kaluarën. O ti je, ti. Nuk ka pasur njerëz në të kaluarën, ti je. Ti je qaj që je në biznes me njerin që i ka fitu 22 milionë euro për dy muaj. Ti më flet qysh u kanë ai atje, e ka pasur një djalë të axhës. Nagipin e keni thirrë me telefon. Vendose kapuçin e hajde. Ti je qaj. Çfarë shthurje të vlerave duhet me pasë një parti politike që e lë një njeri si ti me dal me majtë ligjeratë bre”, deklaroi ai.
“Ju jeni shthurë krejt komplet, nëse të lejojnë ty me dalë me fol. Ju me kanë normal, ishit dasht me e përjashtu prej grupit. I kishi thanë “o zotni, a je ti në biznes me dikë, i cili përfiton? Po. Më fal, ki konflikt interesi”. U çu njeri na majti ligjerata për krejt skemën e energjisë elektrike, kush blen kush shet, tash po e kuptoj pse të ka marrë ai ty për ortak. Po ti dijshe më mirë se 90% të deputetëve këtu. E kishe mësu krejt këtë punë. Tash je në komision dhe ja jep edhe disa informata edhe vjen këtu na shet moral. Çfarë morali ki ti? Çfarë morali ki, kur e ki njerin në parti dhe të thotë “vno kapuçin e hajde””, tha më tej Ismaili.
Ndaj Ismailit u kundërpërgjigj Ahmeti, i cili akuzoi deputetin Ismaili se nuk merr pjesë asnjëherë në komisione.
“Janë vrarë njerëz në biznesin tënd, ku je ti që po tregon moral”, tha më tej deputeti Ahmeti. /Insajderi.org/