×
  • Lajme
  • Botë
  • Lajme / Botë

    Ushtari holandez kërkon Samirin: “Ishte roja ime në Srebrenicë”

    Insajderi
    16 June 2024 - 13:08
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Një lodër në formë kitare, një kuti me një copë letër të Kryqit të Kuq me emrin në të dhe fotografinë e Samir Mujanoviqit, ushtari nga Holanda, Ad van Alphen, i ruajti për gati 30 vjet.

    Ai i mori ato në Srebrenicë, disa muaj para se forcat e ushtrisë së atëhershme të Republikës Sërpska të kryenin gjenocid ndaj më shumë se 8.000 burrave dhe djemve boshnjakë.

    Ky qytet i Bosnje e Hercegovinës ishte atëherë nën mbrojtjen e Kombeve të Bashkuara.

    Sot, 80-vjeçari Ad van Alphen, ish-anëtar i ushtrisë holandeze dhe batalionit të Kombeve të Bashkuara, i cili ishte i vendosur në Srebrenicë, kërkon Samirin.

    Ai thotë për Radion Evropa e Lirë se, nëse do ta gjente, do t’i bënte një pyetje të thjeshtë: si është jeta e tij?

    “Ai vërtet u kujdes për makinën time”

    Ad van Alphen arriti në Srebrenicë në janar të vitit 1995, për të vepruar si negociator midis serbëve dhe boshnjakëve.

    Bashkë me anëtarë të tjerë të batalionit holandez të OKB-së u vendosën në fabrikën e baterive, ku sot ndodhet Qendra Përkujtimore e Potoçarit.

    Çdo ditë shkonte me makinë në zyrat e OKB-së në Srebrenicë dhe Samiri e ruante makinën e tij përpara ndërtesës.

    “Ai u kujdes vërtet. Do të rrinte aty për orë të tëra dhe do të sigurohej të mos i ndodhte asgjë. Unë i jepja fruta ose ndonjë ëmbëlsirë kur kisha mundësi”, kujton Ad.

    Ai thotë se Samiri ishte i lumtur që e bënte këtë dhe e quan roje të veten.

    “Kështu u krijua një lidhje mes nesh. Ai ishte një fëmijë shumë i sjellshëm dhe i mirë”, thotë Ad.

    “Më kërkoi ta çoja në Holandë”

    Samiri ishte një nga mijëra fëmijët në Srebrenicën e kohës së luftës.

    Dhjetëra mijëra njerëz nga zonat përreth kërkuan strehim në Srebrenicë, për të ikur nga sulmet e forcave serbe të Bosnjës.

    Ad kujton se Samiri e pyeti disa herë nëse mund ta merrte me vete në Holandë.

    “Më duhej t’i thosha jo. Nuk mund ta bëja këtë. Ai donte të largohej nga Srebrenica. Unë isha në pushim për një javë në shkurt dhe ai më kërkoi ta merrja me vete”, thotë Ad.

    Ushtari holandez nuk e di saktësisht se nga është Samiri. Gjithçka që di për të dhënat e tij personale, është shkruar në një copë letër nga Kryqi i Kuq.

    Bazuar në informacionin për datën e lindjes dhe sendet që Ad ruan, Qendra Përkujtimore u përpoq ta gjente djalin. Drejtues të saj i thanë Radios Evropa e Lirë se deri më tani nuk kanë informacione konkrete.

    REL-i, gjithashtu, u përpoq ta gjente Samir Mujanoviqin në disa mënyra, por pa sukses.

    “Unë nuk kam asnjë informacion. Nga Qendra Përkujtimore thanë se do të bëjnë gjithçka që munden. Ne nuk dimë asgjë. As nëse është ende gjallë”, thotë Ad gjatë bisedës telefonike me Radion Evropa e Lirë.

    Tash e njëzet e nëntë vjet, ai i mban sendet nga Samiri, duke ruajtur kështu kujtimin e një djali gazmor dhe shpirtmirë në një qytet që, sipas tij, dukej i dëshpëruar dhe pa të ardhme.

    Ad nuk ka ndonjë shpjegim të qartë se përse i ka ruajtur sendet, por thotë se për to i ka treguar edhe familjes së tij, duke i thënë se Samiri ka ruajtur makinën e tij në enklavën e mbrojtur nga OKB-ja.

    “Më bënte dhurata. Më thoshte që nuk duhet t’i refuzoja, sepse edhe unë i kam dhënë disa gjëra të vogla. I kisha fëmijët e mi dhe i kam akoma dhe gjithçka që ndodhte me ta, më ndikonte shumë”, thotë Ad dhe tregon sesi, një ditë, Samiri shkoi në shkollë dhe një tjetër fëmijë u kujdes për makinën.

    “E pyeta: ku është Samiri, roja ime?”, kujton ai.

    Sot, thotë Ad, sikur të takohej me Samirin, do ta pyeste: si është, a është i lumtur, a ka familje, punë të mirë…

    “Në atë kohë në Srebrenicë ai nuk kishte të ardhme, kështu dukej. Askush nuk mund të shkonte askund, ishte shumë e vështirë, të gjithë ishin në vështirësi. Do ta pyesja për veten dhe fëmijët e tjerë, njerëzit e tjerë që kam takuar atje”, thotë Ad dhe shton se do të trishtohej shumë nëse Samirit i ka ndodhur diçka e keqe.

    Ai përmend disa skenarë që mund t’i kenë ndodhur Samirit, duke thënë se refugjatët shkuan në qytetin e Tuzllës, se ai ishte 12 vjeç dhe se kishte mundësi të mbijetonte. “Ndoshta ka shkuar në Simin Han”, thotë veterani 80-vjeçar.

    “Të gjithë na thanë: është faji juaj”

    Misioni negociues në Srebrenicë ishte përvoja e parë e huaj për Ad van Alphenin.

    Ai arriti në qytetin e vogël në lindje të Bosnje e Hercegovinës me qindra holandezë të tjerë, për të ndërmjetësuar në bisedimet midis përfaqësuesve të serbëve dhe boshnjakëve.

    Ai pranon se po i shkonte shumë keq dhe se e pa që në fillim se nuk do të arrinte asgjë. Madje, thotë se pa se gjërat po bëheshin edhe më keq.

    “Më pas na thoshin: ju nuk keni bërë asgjë, ju jeni fajtorë, jeni po aq fajtorë për atë që ka ndodhur sa ata që kanë bërë gjenocidin. Ishte shumë e vështirë”, thotë Ad.

    Ai kujton se në udhëzimet e rrepta përpara mbërritjes u është thënë se nuk mund të bëjnë shumë, se mund të qëllojnë vetëm nëse dikush qëllon mbi ta.

    Ai, gjithashtu, thotë se armët që kanë marrë, kanë qenë të pakta dhe të dobëta.

    Në korrik të vitit 1995, kur filloi gjenocidi, Ad nuk ishte në Srebrenicë, por në Zagreb.

    Ai thotë se u përpoq të arrinte me rreth njëqind ushtarë, por ata morën informacione se nuk do të lejoheshin të hynin në Potoçari dhe Srebrenicë.

    Për herë të parë në Qendrën Përkujtimore

    Gati tridhjetë vjet më vonë, në fillim të qershorit të këtij viti, ai dhe disa ish-kolegë hynë për herë të parë në Qendrën Përkujtimore në Potoçari dhe vizituan përsëri Srebrenicën.

    Në vendin në Potoçari ku dikur qëndroi, tani ka një muze që ruan kujtimet e të vrarëve dhe të të mbijetuarve.

    “Jam 80 vjeç. Erdha për të mbyllur atë kapitull dhe gjithçka që ndodhi. Por, erdha edhe për të sqaruar disa gjëra për veten time dhe për të tjerët. Ka shumë keqkuptime dhe informacione të gabuara. Doja të tregoja se çfarë kam kaluar”, thotë Ad.

    Ai thotë se i vjen keq për mohimin e gjenocidit, që bëhet gjithnjë e më shumë nga udhëheqësit e entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

    “Kam shkuar në vendin ku kam fjetur pesë muaj. Kam parë se e kanë rregulluar shumë mirë objektin. Më ka bërë përshtypje ajo që kam parë, të gjitha ato fotografi, video, kujtime”, thotë Ad.

    Qendra Përkujtimore e Srebrenicës dhe Instituti Holandez për Veteranët organizojnë vazhdimisht vizita në Potoçari.

    Çdo vizitë përfshin qëndrimin te monumenti dhe biseda me anëtaret e Shoqatës së Nënave të Srebrenicës. Ushtarët japin informacione dhe dhurojnë fotografi dhe objekte nga koha e tyre në Srebrenicë dhe të njerëzve që kanë takuar.

    Barra e gjenocidit në Holandë

    “Të gjithë në Holandë mendonin se ne ishim fajtorë në verën e vitit 1995”, përsërit Ad gjatë bisedës.

    E gjithë kjo, thotë ai, ishte e tepërt për disa nga kolegët e tij, të cilët, ndryshe nga ai, ishin në Potoçari atë korrik.

    Shumë prej tyre sot vuajnë nga stresi post-traumatik dhe disa prej tyre kanë bërë vetëvrasje.

    Ad thotë se e ka pasur pak më të lehtë, sepse nuk ka qenë në vendin ku është kryer gjenocidi në korrik.

    Shkuarjen në Potoçari thotë se e sheh si shans për ish-kolegët e tij që të përballen me atë që ka ndodhur atje.

    “Kishte shumë momente emocionale kur ishim në Potoçari. Një ushtar e njohu një djalë që në atë kohë ishte në Potoçari. U përqafuan me njëri-tjetrin, thjesht u shikuan dhe u njohën”, thotë Ad, tani pensionist.

    Ai është disi i zemëruar me ushtrinë holandeze, për shkak të asaj që ai dhe kolegët e tij kaluan në Bosnje e Hercegovinë, por edhe në vende të tjera anembanë botës.

    “Ata na dërguan, na premtuan dhe kur gjërat shkojnë keq, thonë: mësime të nxjerra. Asgjë nuk mësuan”, thotë Ad.

    Kur pyetet se çfarë do të bënte ndryshe nëse do të mund të kthehej në vitin 1995, ai fillimisht hesht dhe më pas përsërit se cilat ishin detyrat e tij në Srebrenicë dhe për çfarë punonte.

    Ai, gjithashtu, përsërit se sa të vështira ishin negociatat dhe se dikush ankohej gjithmonë.

    “Nuk mund të bëja asgjë”, thotë Ad.

    Dy vjet më parë, Qeveria holandeze u kërkoi falje ushtarëve që u dërguan si pjesë e forcës paqeruajtëse të OKB-së për të mbrojtur Srebrenicën – me armë dhe fuqi të pamjaftueshme për të ruajtur paqen.

    Qeveria tha atëkohë se ushtarët e saj po përballeshin me forca shumë më të armatosura të serbëve të Bosnjës, të udhëhequra nga gjenerali Ratko Mlladiq.

    Kryeministri holandez, Mark Rutte, më pas iu drejtua qindra veteranëve të batalionit Dutchbat III dhe u kërkoi falje në emër të Qeverisë – atyre dhe familjeve të tyre.

    Ai tha se ishte mirënjohës për mënyrën sesi Dutchbat III u përpoq të bënte mirë në rrethana të vështira – edhe kur nuk ishte më e mundur.

    Ish-kryeministri holandez, Wim Kok, dha dorëheqje në vitin 2002, kur një raport kritikoi autoritetet holandeze për dërgimin e ushtarëve në zona të rrezikshme pa aftësi ose armë të duhura.

    Më 19 korrik të vitit 2019, Gjykata e Lartë e Holandës konstatoi se ky vend kishte përgjegjësi “shumë të kufizuar” për gjenocidin e kryer nga Ushtria e Republikës Sërpska në Srebrenicë në vitin 1995.

    Gjykata tha se probabiliteti që njerëzit e likuiduar mund të kishin mbijetuar nëse batalioni holandez do t’i mbronte pas rënies së Srebrenicës, ishte 10 për qind.

    Disa mijëra boshnjakë nga Srebrenica dhe qytete të tjera kërkuan strehim në bazën e mbrojtur nga OKB-ja në Potoçari, pas hyrjes së Ushtrisë së Republikës Sërpska në Srebrenicë.

    Burrat u ndanë nga gratë dhe fëmijët dhe më pas u likuiduan. Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë i cilësoi vrasjet masive si gjenocid.

    Deri më tani, më shumë se 50 persona janë dënuar me më shumë se 700 vjet burg për gjenocid dhe krime të tjera në Srebrenicë.

    Radovan Karaxhiq, ish-president i Republikës Sërpska, dhe Ratko Mlladiq, ish-komandant i Ushtrisë së Republikës Sërpska, u dënuan me dënimin më të lartë – burgim të përjetshëm.

    Deri më tani, 6.652 viktima të gjenocidit janë varrosur në Qendrën Përkujtimore Potoçari. Më shumë se 1.000 persona të zhdukur janë ende në kërkim.

    Në maj të këtij viti, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara e shpalli 11 korrikun Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë. /REL

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark