Ushtria izraelite arreston 28 palestinezë të tjerë në Bregun Perëndimor – Insajderi
×
  • Lajme
  • Botë
  • Botë

    Ushtria izraelite arreston 28 palestinezë të tjerë në Bregun Perëndimor

    Insajderi
    05 December 2024 - 13:30
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ushtria izraelite arrestoi 28 palestinezë të tjerë në bastisjet ushtarake në Bregun Perëndimor të pushtuar, njoftuan sot grupet për çështjet e të burgosurve, transmeton Anadolu.

    Dy gra ishin mes të arrestuarve në bastisjet që kishin në shënjestër disa qytete dhe qyteza në territorin e pushtuar, përfshirë El-Halilin (Hebron), Ramallahun, Tulkaremin, Tubasin dhe Nablusin, tha në një deklaratë të përbashkët Komisioni i Çështjeve të të Burgosurve dhe Shoqata Palestineze e të Burgosurve.

    Në mesin e të arrestuarve ishte edhe një palestinez i plagosur, i cili u rrëmbye nga ushtria izraelite nga spitali në qytetin e Nablusit, thuhet në deklaratë.

    “Bastisjet u karakterizuan me abuzime, kërcënime ndaj të arrestuarve dhe familjeve të tyre, dhe akte vandalizmi dhe shkatërrimi në shtëpitë e qytetarëve”, njoftohet më tej.

    Arrestimet e reja e çuan numrin e palestinezëve të ndaluar nga ushtria izraelite në Bregun Perëndimor që nga tetori i vitit të kaluar në mbi 11.900, përfshirë ata që janë liruar pas arrestimit, tregojnë shifrat palestineze.

    Shifra nuk përfshin të arrestuarit nga Rripi i Gazës, numri i të cilëve vlerësohet të jetë me mijëra.

    Gjatë viteve të fundit, ushtria izraelite ka kryer bastisje të rregullta në Bregun Perëndimor, të cilat u përshkallëzuan me fillimin e luftës në Gaza më 7 tetor 2023. Palestinezët gjithashtu janë sulmuar dhunshëm nga kolonët e paligjshëm izraelitë.

    Të paktën 805 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6.450 të tjerë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë së Shëndetësisë.

    Përshkallëzimi vjen pas një opinioni historik në korrik të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) që shpalli “të paligjshëm” pushtimin disa dekadash të tokës palestineze nga Izraeli dhe kërkoi evakuimin e të gjitha vendbanimeve kolone ekzistuese në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark