Vaksina mund të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021 - Insajderi
×
LifeStyle

Vaksina mund të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021

Insajderi
06 October 2020 - 08:54
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Helen Rees, hulumtuese në mjekësi, është optimiste se vaksina kundër koronavirusit do të jetë e disponueshme në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Rees, e cila bën pjesë në Grupin Këshillimor të OBSH-së për vaksinën kundër COVID-19, pret që vaksina të jetë efektive së paku 50 për qind dhe thekson rëndësinë e shpërndarjes së saj në të gjithë botën.

“Nëse keni 60-70 për qind të popullsisë të pavaksinuar, ju vazhdoni të jeni të cenueshëm dhe të keni njerëz të infektuar”, thotë Rees në një intervistë për Radion Evropa e Lirë.

Radio Evropa e Lirë: Sa jemi afër vaksinës kundër koronavirusit?

Helen Rees: Çuditërisht, në njëfarë mënyre, jemi shumë afër, marrë parasysh se duhen vite për të zhvilluar vaksinë. Por, a do të dëshironim të ishim më afër? Normalisht. Ne mund t’i kemi disa vaksina të disponueshme këtë vit – por një numër të vogël të tyre dhe jo të disponueshme globalisht. Shumica prej nesh parashikojnë që nëse kemi vaksinë të suksesshme, ajo të jetë e gatshme në tremujorin e dytë të vitit 2021.

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni nxitimin që po bëhet për gjetjen e vaksinës? Vitet e hulumtimit po përfundojnë në disa muaj…

Helen Rees: Është e nevojshme. Ne jemi duke mësuar shumë teksa e bëjmë këtë në një mënyrë të konsoliduar. Tri fazat e ndryshme të testimit të vaksinës janë duke u zhvilluar bashkërisht. Kjo e shkurton kohën me vite.

Por, një gjë që kërkon më shumë kohë dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme është faza tre e testimit, që zhvillohet në mijëra njerëz dhe tregon nëse vaksina funksionon dhe është e sigurt. Kjo fazë nuk mund të shkurtohet. Aktualisht, në proces janë nëntë testime të tilla për vaksina të ndryshme. Dhe, kjo fazë e testimit duhet të kompletohet.

Radio Evropa e Lirë: A ka rrezik që ndonjë testim për sigurinë të anashkalohet për shkak të nxitimit?

Helen Rees: Kjo është arsyeja përse faza e fundit (e tretë), që përfshin mijëra pjesëmarrës, 30,000, 40,000, në të gjithë botën, është tepër e rëndësishme. Nëse provoni ta shkurtoni këtë fazë dhe të përfshini më pak njerëz në vetëm disa muaj dhe jo periudhë më të gjatë, atëherë duhet të shqetësohemi për sigurinë. Pasi ta përfundojmë fazën e fundit dhe të gjejmë një vaksinë efektive, shpresojmë se do të mund ta monitorjmë sapo ta nxjerrim te popullata – ta monitorojmë sigurinë e saj në mënyrë të vazhdueshme. Kjo është gjithmonë shumë e rëndësishme për çdo vaksinë të re.

Radio Evropa e Lirë: Sa e suksesshme duhet të jetë vaksina në fazat e testimit që ajo të konsiderohet efektive?

Helen Rees: Është një pyetje shumë e mirë. Shumë njerëz do të thoshin se ne duhet të shikojmë për një vaksinë efektive 50%. Disa mund të pranojnë 40% të efektivitetit dhe të tjerët mund të bëjnë presion për më shumë efektivitet, 60%, 70%… Por, shumica e shifrave që flasin politikëbërësit janë së paku 50%.

Radio Evropa e Lirë: Në cilën fazë është e gatshme vaksina për prodhim masiv?

Helen Rees: Në rrethana normale, industria e zhvillimit të vaksinave do t’i bënte të gjitha kërkimet dhe pas sigurimit të një vaksine të suksesshme, do të niste prodhimin. Por, për t’i përshpejtuar gjërat, nga koha kur këto vaksina [kundër koronavirusit] kanë hyrë në provat e hershme klinike, ne kemi identifikuar vendet e mundshme të prodhimit. E kemi bërë këtë me shpresën që, sapo të sigurojmë një vaksinë efektive, të nisim prodhimin komercial.

Radio Evropa e Lirë: Si i përfshini njerëzit në teste? Si ia bëni me njerëzit më të cenueshëm?

Helen Rees: Në shumë pjesë të botës, përfshirja e njerëzve në testim përfshin edhe mediat. Bëhen lajmërime përmes ueb-faqeve, radio-stacioneve, televizioneve, por edhe njerëzit që janë duke u testuar, ua thonë të tjerëve. Megjithatë, për shkak të vëmendjes së madhe që po i kushtohet COVID-19-ës, media ka një rol të rëndësishëm për t’i njoftuar njerëzit për testimin e vaksinave.

Sa u përket njerëzve të cenueshëm, ju thjesht i kërkoni ata, kërkoni njerëz mbi 60 vjeç, kërkoni njerëz pozitivë me virusin HIV, me tension të lartë të gjakut, me diabet.

Radio Evropa e Lirë: Për sa kohë do të jetë efektive vaksina?

Helen Rees: Është një pyetje e mirë, por përgjigjja është se për momentin nuk e dimë. Gjithashtu nuk e dimë sa i përket imunitetit natyror. Njerëzit që janë infektuar dhe kanë antitrupa – ne nuk e dimë se për sa kohë këta antitrupa natyrorë do ta mbrojnë dikë nga infektimi i dytë. E dimë se për koronaviruse të tjera, kjo mund të jetë një kohë e shkurtër, disa muaj.

Për vaksinat [kundër koronavirusit], nuk e dimë. Por, shpresojmë që minimumi të jetë një vit ose më gjatë. Me kalimin e kohës, do ta kuptojmë nëse duhet të japim për shembull doza shtesë ose sa shpesh duhet t’i japim ato doza shtesë. Asnjë vaksinë nuk do të jetë e njëjtë me tjetrën. Disa mund të zgjasin më shumë, disa mund të kenë nevojë për doza shtesë.

Radio Evropa e Lirë: Organizata Botërore e Shëndetësisë ka thënë se cilado vaksinë që ka sukses, ajo duhet të jetë në dispozicion për të gjithë. Si mund të sigurohemi se do të ketë për të gjithë?

Helen Rees: Është një çështje kritike. Ky virus po qarkullon nëpër botë. Nëse kemi numër të madh të njerëzve që nuk mbrohet (vaksinohet), virusi do të vazhdojë të qarkullojë dhe do të zgjedhë njerëz në të gjithë globin. Ne po bëjmë një përpjekje masive, që quhet Lehtësia Covax, e cila kërkon nga vendet e varfra dhe të pasura që t’i paraqesin kërkesat e tyre për numrin e vaksinave që duan.

Covax, në anën tjetër, negocion me kompanitë që janë duke zhvilluar vaksina. Ideja është që të kemi një numër shumë të madh vendesh që kërkojnë vaksina përmes kësaj lehtësie dhe një numër të madh vaksinash që dalin prej saj. Kjo do ta barazonte fushën e lojës. Kjo do të mundësonte që të gjitha vendet, e të gjitha ekonomive, të kenë qasje të barabartë në një përqindje të vaksinave për popullsinë e tyre. Kjo është një përpjekje globale, nuk është bërë kurrë më herët.

Jemi mjaft optimistë se Covax do të fillojë t’iu japë qasje edhe vendeve më të varfra, vendeve më të pafavorizuara dhe vendeve me popullsi të vogël, që mund të mos jenë në gjendje të negociojnë vaksina për veten e tyre.

Radio Evropa e Lirë: Dhe, çfarë nëse shumë njerëz nuk duan të vaksinohen ose shqetësohen për çështje të sigurisë?

Helen Rees: Kjo do të jetë shumë e rëndësishme, sepse për ta ndaluar qarkullimin e këtij virusi, ju duhet të vaksinoni dhe të krijoni antitrupa te një përqindje e konsiderueshme e popullsisë suaj. Nëse keni 60-70 për qind të popullsisë të pavaksinuar, ju vazhdoni të jeni të cenueshëm dhe të keni njerëz të infektuar.

Ne duhet t’ua shpjegojmë njerëzve atë që po bëjmë në aspektin e kërkimeve, se provat klinike mund të garantojnë një nivel të sigurisë dhe ne do ta monitorojmë atë siguri. Gjëja e dytë është t’i bindim njerëzit se nëse nuk imunizohen, ne do të vazhdojmë ta shohim këtë virus duke qarkulluar, me të gjitha ndikimet ekonomike dhe sociale që ka. Pra, është në interesin tonë, në të gjithë botën, që numri i njerëzve të imunizuar të jetë i lartë kur vaksina të jetë në dispozicion./rel.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark