
Që nga liberalizimi i vizave, Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari” po shënon rritje të vazhdueshme të numrit të udhëtarëve, me theks të veçantë gjatë sezonit të verës kur fluksi është dukshëm më i madh.
Zëdhënësja e aeroportit, Valentina Gara, në një intervistë për Insajderin ka bërë të ditur se edhe muaji korrik ka sjellë një rekord të ri.
“Ne edhe në muajin korrik kemi pasur një rritje të numrit të udhëtarëve mbi 9%, që është përsëri një shifër historike në aeroportin e Prishtinës. Kemi pasur udhëtarë si në ardhje, ashtu edhe në vajtje. Shumicën e tyre e përbëjnë mërgimtarët tanë, të cilët vijnë për vizita apo gjatë kohës së pushimeve në atdhe”, tha Gara.
Sipas saj, pavarësisht fluksit të madh, falë koordinimeve me kompanitë ajrore dhe masave të ndërmarra paraprakisht, nuk është regjistruar asnjë ngecje në operimin e fluturimeve.
“Fatmirësisht, edhe pse kemi pasur një fluks mjaft të madh krahasuar me periudhën e vitit të kaluar, falë të gjitha koordinimeve paraprake dhe masave të marra, nuk kemi pasur ndonjë ngecje në operimin e fluturimeve”, shtoi ajo.
Për më shumë, ndiqeni videon e plotë në Insajderi.