Insajderi
Op-Ed

VARRI I MIRËSISË, MOSMIRËNJOHJA

Insajderi
17 May 2026 - 19:51
Shpërndaje në Facebook Shpërndaje në X Kopjo lidhjen
VARRI I MIRËSISË, MOSMIRËNJOHJA
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shkruan: Arjeta Mjeku

Njeriu më i keq nuk është gjithmonë ai që të urren hapur. Jo. Më i keqi është ai që i dhe zemrën, kohën, besimin dhe forcën tënde, dhe një ditë sillet sikur nuk i ke dhënë kurrë asgjë. Mosmirënjohësi është plagë që nuk shihet, sepse nuk të godet me armë, të godet me harresë.

Është ai që e gjete të thyer dhe u bëre mbështetje. Ai që qante në heshtje dhe ti i dhe forcë të ngrihej. I fale kohë nga jeta jote, energji nga shpirti yt, sakrifica që askush nuk i pa. Dhe sapo u ngrit në këmbë, harroi dorën që e mbajti kur po binte.

Mosmirënjohësi ka një talent të errët, di të marrë gjithçka nga ti dhe prapë të bëjë sikur është viktimë. Sa kohë ka nevojë për ty, të kërkon me fjalë të ëmbla. Të respekton, të afrohet, të premton besnikëri. Por sapo ndihet i fortë, ndryshon fytyrë. Fillon të të shohë me ftohtësi, me mendjemadhësi, sikur ndihma jote ishte detyrim dhe jo zemërgjerësi.

Dhe ajo që dhemb më shumë nuk është largimi i tij. Dhemb fakti që kupton se ke harxhuar ndjenja të pastra për dikë që nuk kishte shpirt për t’i vlerësuar. Sepse njerëzit me karakter nuk harrojnë kurrë kush i mbajti pranë në ditët e vështira. Vetëm njerëzit e vegjël bëhen arrogantë pasi ngrihen mbi sakrificat e të tjerëve.

Mosmirënjohësi nuk është i varfër nga xhepi ,është i varfër nga zemra. Ai mendon se gjithçka e meriton, por nuk di të japë as respektin më të vogël në këmbim. Merr dashuri dhe kthen ftohtësi. Merr besim dhe kthen tradhti. Merr mirësi dhe kthen heshtje.

Jeta, megjithatë, nuk harron. Sepse ekziston një ligj i heshtur, ai që nuk vlerëson të mirën, herët a vonë humbet gjithçka që ka. Njerëzit e mirë lodhen një ditë. Ata largohen pa zhurmë, por bashkë me ta largohet edhe drita që mbanin ndezur në jetën e të tjerëve.

Prandaj, mos u trishto nëse një mosmirënjohës të lëndoi. Trishtohu për të, sepse ka humbur diçka që nuk blihet dot, një njeri që e donte sinqerisht. Dhe në këtë botë plot interesa e fytyra të rreme, humbja më e madhe është të humbasësh dikë që të bëri mirë pa kërkuar asgjë në këmbim.

Armiku që të urren është më i ndershëm se mosmirënjohësi që të buzëqesh ndërsa harron çdo të mirë që ke bërë për të. Sepse urrejtja të paralajmëron,por mosmirënjohja të godet pasi i ke hapur derën e zemrës.


OP-ED
Nga Rubrika
x

© 2016-2026 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Facebook Instagram

Impressum

Kontakt

Trademark