Evakuimi i luftëtarëve kryengritës dhe i civilëve ka vazhduar sot nga pjesa lindore e qytetit Alepo në Siri, sipas marrëveshjes për armëpushim me të cilën parashihet që kontrollin ndaj këtij qyteti e merr qeveria e Sirisë, kanë thënë zyrtarët dhe monitoruesit.
Më se 6,400 njereëz, përfshirë më tepër se 3 mijë kryengritës, janë larguar nga Alepoja në disa konvoje, prej ditës së djeshme, kur filluan evakuimet, ka thënë Ministria e mbrojtjes e Rusisë.
Observatori sirian për të drejtat e njeriut me seli në Londër, që i ka vëzhguesit në terren në Siri, tha se numri i njerëzve të evakuuar është afro 3 mijë, përfshirë afro 600 kryengritës.