×
  • Lajme
  • Lajme

    Vazhdon vala e protestave në Serbi, kërkohet anulimi i zgjedhjeve

    Insajderi
    30 December 2023 - 16:36
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Disa mijëra protestues dolën sërish në qendër të kryeqytetit serb, Beograd, të shtunën për të kërkuar anulimin e zgjedhjeve të 17 dhjetorit.

    Protesta u thirr nga iniciativa civile joformale, ProGlas, e nisur nga figura të njohura publike.

    Organizatorët thanë se kërkesa e ProGlasit është që brenda gjashtë muajve të mbahen zgjedhjet parlamentare dhe lokale në Serbi, “pas procesit të ndryshimit rrënjësor të kushteve zgjedhore”.

    Ata thonë se është “tradhtuar” vullneti elektoral i qytetarëve.

    Në Serbi janë mbajtur një varg protestash pas zgjedhjeve të 17 dhjetorit, të nxitura nga akuzat për vjedhje elektorale nga Partia Progresive Serbe (SNS) në pushtet, e cila shpalli fitoren në të gjitha nivelet.

    Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” e akuzoi SNS-në për vjedhje zgjedhore dhe kërkon përsëritjen e zgjedhjeve.

    Autoritetet i kanë mohuar akuzat.

    Një ditë para protestës, më 29 dhjetor, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve i Serbisë (KRZ) e hodhi poshtë kërkesën e koalicionit “Serbia kundër dhunës” për anulimin e zgjedhjeve.

    Dyshime për parregullsinë e zgjedhjeve shprehu edhe Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), e cila më 18 dhjetor njoftoi se zgjedhjet u shënuan me parregullsi të mëdha, keqpërdorim të fondeve publike, dominim mediatik nga presidenti Aleksandar Vuçiq, fushatë negative dhe përhapje të frikës.

    Gjithashtu, një pjesë e eurodeputetëve kërkuan një hetim të pavarur të të gjitha parregullsive të raportuara gjatë zgjedhjeve të mbajtura në Serbi më 17 dhjetor.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës u bënë thirrje autoriteteve në Serbi që t’i hetojnë pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark