×
  • Lajme
  • Lajme

    Vdekja e pacientes nga Malisheva – Lirohet nga paraburgimi mjeku Xhavit Karaxha

    Insajderi
    18 October 2023 - 16:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Pas aprovimit të kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë ndaj të pandehurit Xhavit Karaxha, Gjykata Supreme e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë ku të njëjtit i është ndërprerë masa e paraburgimit duke u liruar për tu mbrojtur në liri.

    Xh.K dhe H.K, dy të pandehurit dyshohen për trajtim të pandërgjegjshëm mjekësor, me ç’rast vdiq pacientja 35-vjeçare.

    Një gjë e tillë është bërë e ditur nga Lekë Muqa, zyrtar për informim në Gjykatën Themelore të Gjakovë.

    Ndërsa për të pandehurën H.K i njëjti ka njoftuar se pas kalimit të afatit nën masën e arrestit shtëpiak nuk kishte pasur kërkesë tjetër nga Prokuroria Themelore e Gjakovës, për vazhdim të masës apo caktim të ndonjë mase tjetër.

    “Ju njoftoj se me aprovimin e kërkesës për mbrojtje të ligjshmërisë të mbrojtësit të pandehurit Xh. K., Gjykata Supreme e Kosovës, e ka ndryshuar aktvendimin e Gjykatës Themelore në Gjakovë, të datës 20.09.2023, me të cilin të pandehurit iu kishte vazhduar paraburgimi dy muaj dhe aktvendimin e Gjykatës së Apelit të Kosovës, të datës 28.09.2023, i cili e kishte refuzuar si të pa bazuar ankesën e mbrojtësit të pandehurit dhe kishte vërtetuar aktvendimin e shkallës së parë, ashtu që të pandehurit me aktgjykimin të datës 17.10.2023, të Gjykatës Supreme të Kosovës, i është ndërprerë masa e paraburgimit dhe i njëjti menjëherë pas dorëzimit të këtij aktgjykimit, është liruar për tu mbrojtur në liri”, thuhej në përgjigjen e zyrtarit Muqaj për Betimi për Drejtësi.

    Po ashtu Muqaj në përgjigjen e tij tha se deri më tani, në Gjykatën Themelore të Gjakovës, nuk ishte dorëzuar asnjë aktakuzë lidhur me këtë rast.

    Ndryshe, më 22 gusht Policia e Kosovës kishte arrestuar të pandehurit e lartcekur, pasi dyshohen se kanë kryer veprën penale “Trajtim i pandërgjegjshëm mjekësor”,

    “Malishevë 22.08.2023-13:00. Lidhur me rastin janë arrestuar dy persona të dyshuar një femër dhe një mashkull kosovarë, të cilët dyshohet se kanë kryer veprën e lartcekur ndaj viktimës femër kosovare e cila ka ndërruar jetë”, thuhej në njoftimin e Policisë.

    Lidhur me rastin kishte reaguar ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili tha se ky rast tragjik shënon një moment vendimtar për ndalimin e pandëshkueshmërisë dhe papërgjegjshmërisë në praktikat e licencimit.

    Kurse, Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar se ordinanca ku është trajtuar tani e ndjera, ka vepruar ilegalisht.

    Edhe Oda e Stomatologëve të Kosovës, ka reaguar pas rastit në Malishevë, ku dyshohet se një grua ka vdekur si pasojë e trajtimit të pandërgjegjshëm mjekësor. Ata u zotuan se pas marrjes së raporteve nga Inspektorati Shëndetësor, do t’i marrin masat e duhura ndaj stomatologut.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark