Ish-drejtori ekzekutiv i agjencisë anti-doping të Rusisë (RUSADA), Nikita Kamayev, ka vdekur dy muaj pas dorëheqjes nga posti i tij.
Agjencia TASS, më 14 shkurt e ka cituar ish-drejtorin e përgjithshëm të agjencisë, Ramil Khabriev, të ketë thënë se vdekja “me sa duket”, është shkaktuar nga një sulm në zemër.
“Ai u ankua për dhimbje të zemrës pas një sesioni me ski. Ai tek unë së paku kurrë nuk është ankuar për dhimbje të zemrës. Ndoshta gruaja e tij ka qenë e njoftuar për këto probleme”, ka thënë ai.
Nëntorin e kaluar, Rusia është pezulluar nga atletika ndërkombëtare pasi një komision i posaqëm i Agjencisë Botërore Anti-Doping e ka qortuar Rusinë, se atletët rusë kanë përdorur në mënyrë sistematike substanca doping.
Kamayev dhe Khabriev kanë dhënë dorëheqje nga postet e tyre së bashku me pjesën tjetër udhëheqëse të RUSADA-s, në mes të muajit dhjetor./REL