
Pushteti i ka dhënë tender familjarit të ministrit Fikrim Damka. Kompania “MEB L.L.C”, e njohur për problemet me ligjin, është shpërblyer me një kontratë prej 123 mijë eurosh nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë. Lidhur me tenderin në fjalë janë dorëzuar edhe ankesa në Gjykatën e Tenderëve. Megjithatë, familjari i tij që e fitoi kontratën thotë se nga ministri Damka ka parë vetëm sherrin, dhe jo ‘hajrin’, në biznes.
Gazeta Insajderi
“MEB L.L.C” ka fituar tender për “Sigurim fizik i objekteve për nevojat e MINT“.
Vlera e kësaj kontrate është 123 mijë euro.
Kompania që ka fituar ka lidhje me Fikrim Damkën.
Kush është kompania fituese dhe lidhja me Fikrim Damkën?
Anil dhe Shefçet Damka, janë familjarët e ministrit të Qeverisë së Kosovës, Fikrim Damka. Biznesmenët familjar të Damkës, kanë përfituar tender të shumtë nga institucionet në Kosovë.
Lidhur me ndikimin e mundshëm që familjari i tij mund të ketë ndikuar për të fituar tenderin e MINT, Sefçet Damka i tha Insajderit se nuk qëndron një gjë e tillë.
Madje, ai u shpreh se Ministrit në largim të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka, ia kanë parë vetëm sherrin.
“Vec sherrin ia kam pa, s’ka ndiku sen. Ne që 20 vite merremi me këtë biznes, ankesa që ka bërë një kompani në OSHP është refuzuar”, tha Damka.
Në faqën e ARBK-së, ky biznes tashmë figuron në emër të Uluaras Damka.
Ndërsa lidhur me procedurën e prokurimit janë dorëzuar edhe ankesa në OSHP.
Çka thuhet në ankesën e dorëzuar në Gjykatën e Tenderëve?
Një kompani është ankuar në Organin Shqyrtues të Prokurimit për shpërblimin me kontratë të kompanisë “MEB L.L.C”.
Në ankesë thuhet se ministria nuk ka respektuar disa kritere si: Barazia në trajtim/jo diskriminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve, tenderët jo normalisht të ulët.
Madje, theksohet se i bie që punëtorët e kësaj kompanie të paguhen me pak se paga minimale.
“Bazuar në analizën e detajuar të ofertës së pranuar nga AK, ju sjellim në vëmendje sa vijon: Oferta e OE te rekomanduar dhe e pranuar nga AK është 123,500.00 € ose 104,661.02 € (NETO) për 50,000 orë pune, që korrespondon me 2.47 € (bruto) ose 2.09 € (neto) për një orë pune të rregullt. Kurse kriteri i përcaktuar ne dosjen e tenderit nga ana e AK përcaktonte qe paga e punëtorëve te mos ishte me e ulet se paga mujore prej 377.57 € bruto (350.00 € neto) ose 2.15 € (neto) për një orë pune. Duke marrë në konsideratë faktin se EO fitues do të paguaj punëtorët me 2.09 € për orë pune, ndërkohë që paga minimale e punëtorëve nuk mund të jetë më e ulët se 2.15 € për orë pune, pa llogaritur asnjë shpenzim tjetër, rezulton se Autoriteti Kontraktues ka kryer shkelje duke ia dhënë kontratën OE me këtë tenderin e ofertuar nen çmimet e përcaktuara me dosjen“, thuhet aty.
Tenderi i dorëzuar nga OE fitues, shkruhet në ankesë se është ne kundërshtim edhe me nenin 61.1 të Ligjit për Prokurimin Publik dhe 41 të Rregullores për Prokurim Publik qe kanë te bëjnë me tenderët jonormalisht të ulët. Në rastin kur një operator ekonomik dorëzon një tender që është ose duket të jetë jo-normalisht i ulët, Autoriteti Kontraktues ka detyrimin ligjor të dërgojë një kërkesë me shkrim tek tenderues.
Por, që kjo ankesë është refuzuar.
Kush është kompania “MEB L.L.C” dhe problemet me ligjin.
Kompania MEB L.L.C ishte futur më parë në ‘listën e zezë’ të kompanive që nuk mund të marrin tender për një kohë në institucionet publike.
Kjo pasi Organi Shqyrtues i Prokurimit në vitin 2023 kishte aprovuar kërkesën e Agjencisë Qendrore të Prokurimit për ta sanksionuar këtë kompani, e cila sipas dy institucioneve ka ofruar të dhëna të rrejshme në një procedurë tenderuese.
Anil Damka, familjari i ministrit Fikrim Damka, më 2018 ishte shpallur fajtor për veprën penale “kanosje”.
Më 12 maj 2021, krimet ekonomike të Policisë së Kosovës kishin arrestuar Anil Damkën e Shefqet Damkën, të dyshuar për veprat penale “falsifikim i dokumenteve” dhe “keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik”.
Sipas policisë, gjatë vitit 2022, pronari dhe i autorizuari i një biznesi kanë përfituar tender nga institucionet e Republikës së Kosovës pa i plotësuar kriteret.
Kompania “MEB” L.L.C dhe i autorizuari i kompanisë Shefqet Damka (SH.D.) janë dënuar sipas Aktgjykimit P.Nr.289/2019 të datës 18.02.2020 (Nr.lëndës: 2018:046216) për veprën penale “Falsifikim i Dokumentit”.
Anil Damka (A.D.) pronar i kompanisë dhe Shefqet Damka (S.D.) si i autorizuar i kompanisë (Drejtor), sipas Autorizimit të lëshuar më 26.03.2021 janë dënuar sipas Aktgjykimit Nr.649/2017 të datës 27.02.2018 për veprën penale “Kanosje”.
Po ashtu, Shefqet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.210/19 të datës 16.11.2021 (Nr.Lëndës: 2019:076135) për veprën penale “Vjedhja e Shërbimeve”.
Përsëri, Shefqet Damka (SH.D.) i autorizuar i kompanisë është dënuar sipas Aktgjykimit Nr.566/21 të datës 24.09.2021 (Nr.Lëndës: 2021:098827) për veprën penale “Shmangie nga tatimi”. /Insdajderi.org/