Arabia Saudite ka deklaruar se “mbështet plotësisht” operacionin ushtarak të organizuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) ndaj bazës ushtarake të regjimit sirian.
“Mbështesim plotësisht operacionet ushtarake të SHBA-ve ndaj regjimit sirian, pasi regjimi i Asadit vrau dhjetëra civilë të pafajshëm, përfshirë gra dhe fëmijë, duke përdorur armë kimike”, thuhet në deklaratën me shkrim nga Ministria e Jashtme e Arabisë Saudite.
Në deklaratë thuhet se përgjegjësia e vërtetë për operacionet në fjalë bie mbi regjimin e Sirisë. “Përgjegjësia për operacionet ushtarake në territorin e Sirisë bie mbi regjimin e Asadit, për arsye të sulmeve të tij të tmerrshme ndaj popullit sirian prej disa vitesh”, theksohet më tej në deklaratë.
Deklarata më tej nënvizon se komuniteti ndërkombëtar kishte ngelur i heshtur ndaj vrasjeve të popullatës civile nga regjimi i Asadit dhe se vendimi i presidentit amerikan Donald Trump për “të goditur objektivat ushtarake”, është hap motivues.
Pentagoni ka konfirmuar se SHBA-të mëngjesin e sotëm kanë goditur me 59 raketa Tomahawk nga anijet amerikane në Mesdheun Lindor bazën ajrore Shajrat të ushtrisë siriane, për të cilën zyrtarët amerikanë besojnë se është përdorur për të kryer sulmin vdekjeprurës me armë kimike.