×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Vendimet pro dhe kundra – vazhdon saga ndërmjet Bankës Qendrore dhe multimilionerit nga Ferizaj

    Insajderi
    26 November 2021 - 17:21
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Banka Qendrore e Kosovës ka njoftuar se Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e këtij institucioni për shtyrjen e ekzekutimit të likuidimit të kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

    “Kolegji i Gjykatës së Apelit ka vlerësuar se gjykata e shkallës së parë nuk ka pasur parasysh përcaktimet ligjore të nenit 76 të Ligjit Nr.03/L-209 për Bankën Qendrore të Republikës së Kosovës, që përcakton imunitetin e Bankës Qendrore ndaj caktimit të masës së përkohshme gjyqësore”, thuhet në një njoftim për media të BQK-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Tutje bëhej e ditur se procesi i likuidimit të Kompanisë së Sigurimeve “Kosova e Re” vazhdon në përputhje me vendimin e BQK-së për revokimin e licencës sipas përcaktimeve të dispozitave ligjore në fuqi.

    Banka Qendrore e Kosovës në gusht të këtij viti kishte vendosur të revokojë licencën e kompanisë së sigurimeve, “Kosova e re.

    Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, kishte deklaruar se kjo do të bëhej si shkak i mospërmbushjes se kushteve ligjore dhe gjendjes financiare të kompanisë së sigurimeve.

    Por, Gjykata Themelore në Prishtinë kishte vendosur masë të sigurisë ndaj vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës për mbylljen e kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”.

    Vendimi nga gjykata kompetente ishte marrë më 20 tetor, pas padisë që Naser Maloku, aksionari i vetëm i “Kosova e Re”, ia kishte bërë Bankës Qendrore në Prishtinë.

    “Aprovohet si i bazuar propozimi i paditësit/propozuesit Shoqëria “Fitoja” Sh.p.k e përfaqësuar nga Naser Maloku në kapacitetin e Menaxherit dhe Aksionarit të vetëm të Kompanisë së Sigurimeve K.S “Kosova e Re” SH.A.”, thuhej në vendimin e Themelores së Prishtinës të siguruar nga Gazeta Insajderi.

    Derisa e njëjta gjykatë konfirmonte se “shtyhet ekzekutimi i vendimit të të paditurës kundër-propozueses Bankës Qendrore… me numër 70-24/2021 i datës 24.09.2021, derisa Gjykata të vendos me vendim përfundimtar gjyqësor përkitazi me padinë paditësit-propozuesit”.

    Ndaj këtij vendimi të Themelores, BQK kishte vendosur të bëjë ankesë në Gjykatën e Apelit.

    “Nuk kemi vendim final, është masë e përkohshme. Ne e kemi kontestuar këtë masë të përkohshme dhe do ta apelojmë në Gjykatën e Apelit”, pati thënë Mehmeti në fillim të këtij muaji, dhe vetëm në fund të muajit Apeli ka vendosur pro ankesës së BQK-së.

    Më 24 gusht të këtij viti Banka Qendrore e Kosovës ia ka revokuar licencën kompanisë së sigurimeve “Kosova e Re”. pasi ndër vite kjo ndërmarrje ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së.

    Guvernatori i BQK-së, Fehmi Mehmeti, tha se bordi ekzekutiv i BQK-së, ka marrë vendim që siguruesit “Kosova e Re”, t’i revokohet licenca, pasi që ndër vite kjo kompani ka pasur vështirësi në financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore në fuqi.

    “Siguruesi “Kosova e Re”, ndër vite ka pasur vështirësi financiare në përmbushjen e kërkesave ligjore të BQK-së, sa i përket mjaftueshmërisë së kapitalit, aftësisë paguesve – solvencës dhe aseteve në mbulim të provizioneve teknike. Në funksion të përmirësimit të gjendjes financiare dhe përmbushjes së kërkesave ligjore dhe rregullative, BQK përkatësisht bordi ekzekutiv i BQK-së në pajtim me legjislacionin në fuqi, në mënyrë të vazhdueshme ka bërë përpjekje për përmirësimin e gjendjes financiare të siguruesit “Kosova e Re”, tha atë ditë Guvernatori i BQK-së.

    “Megjithatë, përkundër gatishmërisë dhe përpjekjeve të BQK-së, bordi dhe menaxhmenti i siguruesit nuk ka arritur t’i përmbushë kërkesat ligjore dhe përmirësimin e gjendjes financiare të kompanisë. Në të njëjtën kohë, aksionari i siguruesit “Kosova e Re”, nuk iu është përgjigjur kërkesave të BQK-së për rritjen e kapitalit dhe arritjes në pajtueshmëri me kërkesat ligjore në fuqi”, tha Mehmeti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Guvernatori i BQK-së shpjegoi se me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve, BQK ka marrë vendim për revokimin e licencës.

    “Mungesa e gatishmërisë së aksionarit për t’i plotësuar kërkesat e kapitalit ka vënë në rrezik serioz kapacitetet e Siguruesit për të përmbushur detyrimet ndaj të siguruarve dhe kreditorëve të tjerë. Prandaj, me qëllim të mbrojtjes së policëmbajtësve dhe me qëllim të parandalimit të rritjes së ndikimit negativ në tregun e sigurimeve dhe në sistemin financiar në përgjithësi, BQK-ja duke u bazuar në detyrat dhe përgjegjësitë që dalin nga ligji për BQK-në dhe ligji për sigurimet, ka marrë vendim për revokimin e licencës këtij siguruesi”, theksoi Mehmeti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Banka Qendrore e Kosovës gjatë viteve ka revokuar edhe licenca të tjera të kompanive të sigurimeve, por të njëjtat nuk e kanë paditur institucionin që rregullon fushën e sigurimeve në Kosovë./Gazeta Insajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark