×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Tentimet e Thaçit për t’iu shmangur gjykimit për krimet gjatë sundimit të tij

    Insajderi
    03 July 2017 - 15:21

    Para pak javësh takova rastësisht shkrimtarin dhe kritikun letrar, Sinan Gashi. Nuk më njohu pa u afruar në një distancë prej 50 centimetrash, ani se më të kam punuar në një zyrë rreth dy vjet rresht.

    Shikimi,  Gashit çdo ditë e më shumë po i dobësohet.

    “Thuajse po e humb shikimin”, më tha ai.

    Sinan Gashi nga Arllati i Drenasit ka qenë aktivistë për shumë vjet i LDK-së në Drenas. Gjatë jetës së tij politike, është rrahur dhe torturuar dy herë. Njëherë nga forcat serbe para luftës për shkak të aktiviteteve të tij politike kundër Serbisë, dhe njëherë nga pjesëtarë të UÇK-së pas luftës për shkak të aktiviteteve të tij në kuadër të LDK-së.

    Ishte cilësuar i rrezikshëm nga serbët dhe nga shqiptarët.

    Si pasojë e rrahjes nga UÇK-ja, ai ka humbur njërin sy. Në tjetrin ka pësuar dëme të mëdha. Xhami i syzeve i ishte futur në dritë të syrit pas shqelmave që kishte pësuar.

    Gashi është njëri prej viktimave të shumta të pasluftës për shkak të bindjeve dhe aktivizmit të tij politik. Ka refuzuar të flas publikisht për dhunën e pësuar. Edhe sot vazhdon të hesht.

    Njëjtë nuk kanë vepruar viktima tjera dhe bashkëveprimtarë të tij. Ata kanë folur dhe kanë dhënë dëshmi për dhunën e pësuar pasluftës. Mehdi Bardhi nga Drenasi – aktivist i LDK-së, e Cen Desku, nga Malisheva kanë dhënë dëshmi të forta se si janë arrestuar, rrahur e maltretuar për shkak të rreshtimit politik.

    Desku e kishte akuzuar personalisht Hashim Thaçin se e kishte arrestuar dhe burgosur atë. Desku ishte arrestuar së bashku me Jakup Kastratin më 30 tetor 1998. Ata ishin mbajtur të burgosur në mënyrë të paligjshme rreth një muaj në fshatin Sedllar të Lipjanit.

    Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së kishte lëshuar komunikatë për arrestimin e tyre. Konsideroheshin të dëmshëm për luftën e UÇK-së. Dy aktivistët e LDK-së që ishin liruar me ndërmjetësimin e OSBE-së, e kishin akuzuar Thaçin se ka qenë pjesëmarrës në kidnapimin e tyre. Dëshmitë fillimisht ia kanë dhënë misionit verifikues dhe më vonë edhe UNMIK-ut.

    Sipas tyre, Thaçi ishte prezantuar me emrin “Sabit Geci” dhe “Ibrahim Gashi”, në momentin e kidnapimit.

    Si pasojë e këtyre dëshmive, Thaçi ishte nën hetime për krime lufte.

    Mirëpo, ky hetim është mbyllur para pak muajsh nga prokurori special, Reshat Millaku, me arsyetimin se viktimat, Cen Desku dhe Jakup Kastrati kanë tërhequr dëshmitë e tyre të dhëna në UNMIK.

    Mbyllja e hetimeve kundër Thaçit kishte ndodhur pas një takimi që kishte pasur personalisht me “viktimën e tij” Cen Desku. Në këtë takim të ndërmjetësuar nga Isni Kilaj, Thaçi e Desku kishin mbyllur këtë çështje që kishte rezultuar me tërheqjen nga akuzat.

    Njëjtë ka vepruar edhe me Imer Imeri, i cili e kishte akuzuar vazhdimisht Thaçin për vrasjen e vëllait të tij, Haki Imeri. Marrëveshja e Thaçit me Imerin kishte pasuar me shpalljen e vëllait të tij të ndjerë me dhënien e dekoratës “Hero i Kosovës”.

    Në mënyrë krejtësisht të fshehtë, presidenti Thaçi kishte dekoruar edhe aktivistin tjetër të LDK-së në Drenas, Mehdi Bardhin. Në një ceremoni private, Thaçi e kishte nderuar atë me dekoratën “Urdhri i Pavarësisë”.

    Kësisoj, Thaçi u ka mbyllur gojën të paktën tre dëshmitarëve potencial të Gjykatës Speciale. Gjithë këtë e ka bërë për t’i shpëtuar ballafaqimit me drejtësinë ndërkombëtare në Hagë që pritet të nis punën brenda pak muajsh.

    Presidenti i vendit, ka qenë udhëheqës politik i UÇK-së dhe kryeministër i Qeverisë së Përkohshme. Shumica e krimeve të pretenduara pasluftës janë kryer nën qeverisjen e tij. Mbi 450 njerëz janë vrarë nga qershori 1999 deri në dhjetor 1999. Dyshimet për këto krime bijën mbi strukturën e udhëhequr nga Thaçi, përfshirë SHIK-un.

    Këto nuk janë të vetmet veprime të tij për të shpëtuar nga drejtësia.

    Vitin e kaluar ai ndërmori një aktivitet për të nderuar serbët e vrarë pas luftës. U përkul para pllakave përkujtimore të cilat mbajnë mbishkrime “Terroristët shqiptarë…”. Ai nuk e pati problem përkuljen, ani se në këto pllaka fajtorët janë të shënjuar si shqiptarë.

    Thaçi ndërkohë mori rolin e pajtuesit me serbët. Themeloi një komision të ashtuquajtur për “verifikim dhe pajtim”, ende pa kërkuar falje Serbia për krimet e kryera në Kosovë. Qëllimi ishte po ashtu i qartë: shpëtimi nga drejtësia.

    Veprim krejtësisht i ngjashëm, pra shmangja nga ballafaqimi me drejtësinë është edhe udhëtimi i tij në Bruksel dhe takimi me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Me iniciativë të tij, niveli i dialogut është ngritur në atë të presidentëve. Thaçi të hënën ka shkruar në Bruksel i vetëm, pa shoqërim nga kryeministri tashmë në largim.

    Presidenti i Republikës nuk është në zor të “normalizimit të raporteve me Serbinë”. Po dëshiron imponimin e figurës së tij para ndërkombëtarëve se është faktori kryesor politik në Kosovë, pa përfshirjen e të cilit nuk mund të ndodh normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë, e as nuk mund të ketë paqe në rajon.

    Nga ana tjetër, puna e Gjykatës Speciale nuk ka kurrfarë kuptimi nëse nuk e gjykon njeriun kryesor që përmendet në raportin e senatorit Dick Marty, si përgjegjës për vrasje të kundërshtarëve politikë, shkatërrim të pronave, trafikim me armë, drogë e naftë, krim të organizuar etj.

    Nëse Shërbimi Informativ i Kosovës i udhëhequr nga Kadri Veseli i ka kryer shumicën prej këtyre krimeve, ky shërbim është themeluar dhe ka funksionuar nën qeverinë e Thaçit. I ka raportuar dhe shërbyer atij.

    Pavarësisht këtyre veprimeve të kreut shumëvjeçar të PDK-së, kjo gjykatë nuk mund ta kapërcej atë.

    Ai tashmë ka heshtur zërat e disa viktimave, të cilët do të ishin dëshmitarë të mundshëm të Gjykatës Speciale.

    Por,  Thaçi duhet të gjykohet pasi që ishte në krye të një hierarkie jozyrtare të pasluftës, e cila emërtohej Qeveria e Përkohshme e Kosovës. Gjatë mbretërimit të asaj qeverie të pa mandatur nga votat demokratike, kundërshtarët politik të partisë së Thaçit ishin vrarë në mënyrë misterioze. Dikush duhet të dëgjojë rrëfimet e familjarëve të viktimave dhe Gjykata Speciale duhet që dëgjojë edhe rrëfimin e sunduesit të pasluftës të mandatuar nga populli, Hashim Thaçit.

    Sinan Gashi është me shikim të dobësuar, por jo me mbamendje. Ai e di se kush i verboi syrin. Imer Imeri e di kush i vrau vëllanë. Mehdi Bardhi e di kush e kishte arrestuar e rrahur. Kryerësit e këtyre krimeve e dinë se kush i kishte urdhëruar. /Insajderi.com

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark