Me qëllimin për t’i dhënë gjallëri e bukuri qendrës së Prishtinës, vendosja e shtëpizave që shërbejnë verëra e çaja në sheshin Zahir Pajaziti gjatë festave të fundvitit – “Verë n’Dimën”, janë kthyer në cështje problematike, pasi si pasojë e saj rrezikohet të dëmtohet gjelbërimi në qytetit.
Por mbetjet e verërave në shesh po rrezikojnë të dëmtojnë pemët në “Zahir Pajaziti”.
Në kohën kur Prishtina po vuan me ajrin e ndotur, i cili po del të jetë shqetësues për qytetarët e kryeqytetit, edhe pemët e mbjellura në sheshin “Zahir Pajaziti” në Prishtinë rrezikojnë të dëmtohen nga pakujdesia e qytetarëve dhe bizneseve “Verë n’Dimën”, që janë vendosur javën e kaluar në shesh.
Verërat e nxehta dhe çaji, të cilat janë duke u shërbyer në këto ambiente të sheshit “Zahir Pajaziti”, siç shihet në foto janë duke u hedhur në rrënjët e pemëve të mbjellura në shesh.
Teksa gotat dhe cigaret po hidhen në mes të rrugës.
Mirëpo shitësit e këtyre bizneseve thonë se janë të kujdesshëm në mbajtjen e pastërtisë së sheshit, derisa fajin ua lë qytetarëve.
“Ne nuk i hedhim kështu çajin dhe mbetjet tjera çka mbesin prej pijeve mirëpo këtë janë duke e bërë qytetarët”, tha për Insajderin një shitëse në “Verë n’Dimën”, pa dashur të identifikohet për gazetën.
Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës, Adonis Tahiri është shprehur i shqetësuar për situatën e krijuar në sheshin “Zahir Pajaziti”, derisa ka bërë të ditur se komuna do të ndërmarr masa për këto veprime.
“Deri tani nuk e kemi pasur një shqetësim të tillë. Menjëherë do të dërgojmë inspektoret kompetent për ta evidentuar rastin dhe në bazë të të dhënave që ju siguroni si dhe dëshmive tuaja përmes fotografive do të ndërmarrim masa”, shprehet Tahiri për Insajderin./Insajderi.com