Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli ka komentuar rezultatin e raundit të parë të zgjedhjeve në Drenas, duke thënë se rezultati i këtyre zgjedhjeve do të jetë arsye për reflektim brenda partisë së tij.
Faktin që PDK ka dështuar për herë të parë, që këtë komunë ta fitojë që në raundin e parë zgjedhor, Veseli e ka interpretuar si mesazh për të dhe Partinë Demokratike.
“Unë e kam kuptuar drejt mesazhin e qytetarëve te Drenasit. Ky mesazh kërkon reflektimin tim të qartë dhe në pajtim me këtë, unë dhe PDK-ja do të angazhohemi bashkërisht, ashtu që fitorja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe e z. Lladrovci të jetë fitore e vizionit të përbashkët me qytetarët e Drenasit. Verdikti i tyre do të jetë baza mbi të cilën do të ndërtohet edhe platforma qeverisëse e z. Lladrovci”, ka shkruar Veseli në faqen e tij në Facebook.
Megjithatë, Veseli është treguar ende optimist se në balotazh, kandidati i PDK-së, Ramiz Lladrovci do të dalë i pari, përballë atij të NISMA-s, Isa Xhemajlaj.
“Kjo kulturë dhe ky nivel i lartë i përgjegjësisë qytetare e përcolli edhe gjithë periudhën e fushatës zgjedhore, andaj me të drejtë mund të thuhet se fituesi më i madh i zgjedhjeve të djeshme në Drenas, ishte vetë qytetari i kësaj komune. Këtë duhet ta respektojnë oponentët tanë politikë, edhe kur nuk u pëlqen rezultati”, ka thënë ai.
Veseli ka thënë se për Partinë Demokratike të Kosovës nuk ka asgjë më të rëndësishme sesa lidhja e pashkëputshme mes qytetarëve tanë dhe lidershipit partiak. /Insajderi.com