Gjatë vizitës zyrtare në Paris, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, dorëzoi dekoratat e dhëna në emër të Republikës së Kosovës nga presidenti, për personalitete të shquara franceze të cilët kanë kontribuar vazhdimisht në mbështetje të çështjes së Kosovës.
Me këtë rast, u organizua edhe një pritje në Ambasadën e Kosovës në Paris, ku përveç laureatëve të medaljeve, të ftuar ishin edhe personalitete të jetës publike franceze, studentë dhe përfaqësues të diasporës shqiptare në Francë.
“Në një kohë kur zëri i Kosovës dëgjohej pak në botë, këta intelektualë francezë themeluan komitetin e Kosovës në Paris dhe falë punës së tyre shumëvjeçare, Franca dhe bota e kuptoi drejt problemin e Kosovës dhe kjo çështje u bë kauzë evropiane dhe kauzë botërore”, tha Veseli.
Emrat e intelektualëve francezë të dekoruar për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës janë: Antonio Garapon, Pierre Hasner, Olivier Mongin, Zhak Rupnik.