Vetëm 11 të vdekur nga Covid-19: Ja cili është sekreti i Tajvanit - Insajderi
×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Vetëm 11 të vdekur nga Covid-19: Ja cili është sekreti i Tajvanit

    Insajderi
    19 April 2021 - 18:31
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Shkrim nga: Patricia Fitzpatrick

    Tajvani është vlerësuar gjerësisht për menaxhimin që i ka bërë pandemisë aktuale, duke pasur një nga normat më të ulëta në botë me Covid-19 për banor, teksa jeta në ishull është rikthyer gati në normalitet.

    Vetëm 11 njerëz kanë vdekur nga Covid-19 në ishull që kur filloi pandemia, një arritje mbresëlënëse për një vend që nuk kaloi kurrë në ndonjë bllokim. Në fillim të pandemisë, Tajvani u konsiderua një vend me një rrezik të lartë për shkak të afërsisë së tij me Kinën, dhe udhëtimeve të shpeshta midis dy vendeve.

    Duke pasur një histori problematike në përballjen me SARS-in në vitin 2003, qeveria tajvaneze veproi këtë herë shumë shpejt për të mbyllur kufijtë e saj. Ajo ngriti një Qendër Qendrore të Komandës për Epideminë që më 20 Janar 2020, për të koordinuar bashkëpunimin ndërmjet ministrive dhe agjencive të ndryshme qeveritare, dhe midis qeverisë dhe bizneseve.

    Një studim i ri i botuar në “American Medical Association”, ka ekzaminuar më tej arsyet e këtij suksesi. Autorët e studimit, nga një sërë institutesh shëndetësore dhe spitalesh në Tajvan dhe SHBA, krahasuan efektivitetin e dy llojeve të politikës anti-Covid në muajt e parë të pandemisë:masat e bazuara tek rastet konkrete, dhe në bazë të popullsisë.

    Masat e bazuara në raste, përfshijnë zbulimin e njerëzve të infektuar përmes testimit, izolimit të rasteve pozitive, gjurmimin e kontakteve dhe karantinimin 14-ditor të kontakteve të ngushta. Ndërsa masat e bazuara tek popullata, përfshinin politikat e mbajtjes së maskave, higjenën personale dhe distancimin social.

    Efektet e këtyre politikave, janë përcaktuar përmes numrit të riprodhimit (numri R), që është një mënyrë për të vlerësuar aftësinë e sëmundjes infektive për t’u përhapur. Ai përfaqëson numrin mesatar të njerëzve tek të cilët ia kalon virusin një person i infektuar.

    Një numër R më i madh se 1, do të thotë që virusi do të vazhdojë të përhapet dhe vatrat e reja do të vazhdojnë të shfaqen. Një numër R nën 1 do të thotë që numrat e rasteve do të nisin të zvogëlohen. Autorët mblodhën të dhëna për 158 raste midis 10 janarit dhe 1 qershorit 2020 nga Qendrat Tajvaneze për Kontrollin e Sëmundjeve, dhe të gjitha rastet u konfirmuan nga testi i PCR.

    Më pas ata krahasuan rezultatet që gjetën në Tajvan me një R të vlerësuar në normën  2.5, bazuar në numrin e vlerësuar ekuivalent të infektimeve në Kinën fqinje në fillim të shpërthimit të saj të rasteve me Covid-19.

    Studimi zbuloi se vetëm politikat e bazuara tek rastet, si gjurmimi i kontakteve dhe karantinimi, mund ta ulnin numrin R nga 2.5 në 1.53. Karantina ishte ajo që kontribuoi më së shumti në uljen e numrit R.

    Ndërkohë ndërhyrjet e bazuara tek rastet nuk mund të parandalojnë në mënyrë thelbësore transmetimin nga një person tek tjetri, por mund të zvogëlojnë transmetimin e mëtejshëm nga ato raste dytësore tek një person i tretë ose i katërt, për sa kohë që kontaktet e ngushta janë në karantinë.

    Ndërkohë, politikat e bazuara tek popullsia në përgjithësi, si distancimi social dhe maskat e fytyrës, e zvogëluan R-në nga 2.5 në 1.3. Autorët e studimit, arritën në përfundimin se ishte kombinimi i politikave të bazuara tek rastet dhe popullsia, ajo që ka sjellë suksesin e Tajvanit në frenimin e përhapjes së Covid-19.

    Kombinimi i të dyja qasjeve bëri që R të ishte 0.82 ose edhe 0.62. Gjithashtu, ata zbuluan se ishin të nevojshme politika të forta të bazuara tek popullsia për të arritur kontrollin e virusit, edhe pse numri i infeksioneve në qarkullim ishte i vogël.

    Dhe çfarë do të thotë kjo për vendet e tjera? Duke pranuar se të gjitha modelet bëjnë vetëm supozime, dhe kjo analizë nuk bën dallim, ajo vërteton se gama e plotë e masave të shëndetit publik që kemi përdorur në mënyrë mjaft të qëndrueshme në të gjithë botën – me shkallë të ndryshme të kohëzgjatjes dhe ashpërsisë – kanë qenë më se të nevojshme.

    Autorët arrijnë gjithashtu në përfundimin se gjurmimi intensiv i kontakteve nuk është i mundur, kur mbingarkohen sistemet e shëndetit publik. Kjo nuk ndodhi kurrë në Tajvan për shkak të suksesit të strategjive të tij. Por kjo gjë ndodhi për shembull në Irlandë në janar të këtij viti, kur përjetoi një valë të tretë shkatërruese të Covid-19.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark