Partia kosovare, Lëvizja Vetëvendosje thotë se mërgatës shqiptare nga Kosova, s’po u ndahen zhvatjet dhe sjellja jokorrekte ndaj tyre, e cila sipas VV-së po bëhet nga autoritetet kosovare.
Sipas partisë më të madhe opozitare në Kosovë, autoritetet shtetërore po i “grabisin” shqiptarët e diasporës, me anë të polisave të sigurimit, njofton Insajderi.
“Përpos shumë investimeve individuale të shkuara dëm nën trysninë e administratës së korruptuar nga sundimtarët e Kosovës, si gjithnjë, në prag të pushimeve verore, zyrtarët sundimtarë, nuk harrojnë, që nën emrin e “polisave të sigurimit”, të vazhdojnë grabitjet e tyre për mërgimtarët ende pa hyrë brenda kufirit të Kosovës”, thuhet në reagimin e VV-së.
Nga Lëvizja Vetëvendosje thonë se edhe vetë qytetarët duhet të ngrisin zërin për këtë situatë.
“Për këtë, aktivistët e Lëvizjes VETËVENDOSJE! në Zvicër, ngrenë zërin dhe denoncojnë publikisht metodën grabitqare ndaj mërgatës”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com