×
  • Op-Ed
  • Op-Ed

    Vetëvendosje fatale

    Insajderi
    09 September 2021 - 14:37

    Si erdhi gjithë ajo hapje? Dikush vendosi vetë. Kokë me vete. Pa asnjë të dhënë a rekomandim nga ndonjë institucion kredibil shëndetësor. Vetëvendosja nuk është gjithmonë proces e bëmë që mund t’i lihet në dorë personit, grupit a organizmit të papjekur. Të paktën ky është mësimi që, këtë herë, mund të nxjerrim nga VETEVENDOSJE!

    Shkruan: Arben Idrizi

    Pandemia – që të jemi korrekt dhe të përgjegjshëm në gjykimet tona – dhe tutje infektimi me virusin dhe pasojat e tjera fatale, nuk vjen për fajin e drejtpërdrejtë të ndonjë pushteti a organizmi shëndetësor e preventiv. Por – që përsëri të jemi korrekt dhe të përgjegjshëm në gjykimet tona – pandemia dhe tutje infektimi dhe pasoja e tjera fatale, mund të vijë, rëndohet, për shkak të papërgjegjësisë, jo korrektësisë dhe pandjeshmërisë së një pushteti a organizmi shëndetësor e preventiv.

    Shpërthimi i valës së tretë të infektimit në vend nuk erdhi si pasojë e ndonjë fataliteti përballë pandemisë. Erdhi, më tepër, si rrjedhojë e një hapjeje, gjatë muajve të verës, të përgjithshme krejtësisht të papërgjegjshme dhe – nuk përmbahem dot pa gjykuar – mizore. Nuk kishte asnjë të dhënë, as iluzore, se ajo hapje nuk do të sillte pasoja të rënda dhe të papërballueshme.

    Arsyet e pushtetit për hapjen mund të jenë të ndryshme. Ndoshta, në naivitetin e tyre (ardhja e diasporës, që do të nënkuptonte një lloj infuzionimi të ekonomisë së vendit), edhe qëllimmira. E megjithatë, kjo nuk i bën aspak më jomizore.

    Një borxh që pushteti i kishte diasporës bëri që ardhja e tyre në vend për vizitë të lejohej pa asnjë kusht, pa asnjë masë sigurie. E qartë, pushteti ia ktheu një pjesë të borxhit të vet diasporës. Por pushteti dhe diaspora nuk do të mund t’ia kthejnë vendit dëmin që ia bënë kurrë.

    Hapja e pakontrollueshme rezultoi me shtim të rrëmbyeshëm të infektimeve dhe vdekjeve, duke e nxjerrë vendin tonë në krye të listës së vendeve me më shumë të infektuar për kokë banori në botë. Rrjedhimisht, me humbje në njerëz aq të larta.

    Kishte, në rrjedhë të kësaj, pastaj edhe një mori veprimesh plotësisht të papërgjegjshme të pushtetit, që bënë që lakorja e rasteve të infektimeve të çmendej.

    Njëra ndër to, për shembull, thirrja nga ana e vetë pushtetit drejtuar qytetarëve që të dalin ta presin ekipin olimpik të Kosovës që po kthehej nga Japonia dhe pastaj të festohej në shesh, bashkë me ta.

    Kësaj papërgjegjshmërie do të mund t’i shtohej si shtojcë zbukurimi (sa e habitshme të përdorim shprehje të tilla në raste të tilla) pjesëmarrja e ministrit të Shëndetësisë në dasma, ku shihej duke hedhur valle i dalldisur thua se sapo OBSh-ja e kishte shpallur përfundimisht të fituar luftën kundër pandemisë.

    Qeveria, tutje, dështoi në sensibilizimin e qyetarëve për vaksinim, duke mos pasur as idenë më të vogël se si të krijohet vetëdija dhe besimi në një gjest të domosdoshëm dhe madje, të detyrueshëm. Për këtë shkuan poshtë mijëra vaksina; për këtë ka vështirësi të konsiderueshme në menaxhimin e qendrave edhe ashtu të pakta të vaksinimit.

    Një vegzë, duke lëvizur në kohë, habie e indinjimi, duhet t’i shtohet gjithë kësaj ajo skena patetike dhe e neveritshme e kryeministrit të vendit, në Kuvendin e Kosovës, kur, vetëmburrej për rëniet e natyrshme të lakorës së rasteve të infektimeve në fillim të verës. Dhe me çfarë toni arrogance e krupe, me çfarë performance prej hiene. Si për të hapur rrugë për hapjen e mjerueshme: mjeruese.

    Tash, kur lakorja e rasteve të infektimeve po shkundullohet si e marrë duke na shkundulluar, as kryeministri as askush nga çirakët në pushtet të bërë tapë nga vetëkënaqja nuk e nxjerrin majën e hundës nga jorgani. Është ftohtë. Sigurisht, është ftohtë për fatkeqësinë tonë.

    Ne nuk i bëmë, pra, dëm vetëm vetvetes, por edhe vendeve të tjera. Kthimi i diasporës në vendin e qëndrimit solli po ashtu shtim të rateve të infektimeve në vendet përkatëse dhe me këtë edhe reagimin e ashpër të atyre vendeve. E gjitha për shkak të një pakujdesie dhe paaftësie të një qeverie shtalbe, e cila nuk erdhi për të mësuar – çka në fund edhe do të mund t’i falej – as nuk di/o të mësojë – çka nuk mund t’i falet.

    Si erdhi gjithë ajo hapje?

    Dikush vendosi vetë. Kokë me vete. Pa asnjë të dhënë a rekomandim nga ndonjë institucion kredibil shëndetësor.

    Vetëvendosja nuk është gjithmonë proces e bëmë që mund t’i lihet në dorë personit, grupit a organizmit të papjekur. Të paktën ky është mësimi që mund të nxjerrim, këtë herë, nga VETEVENDOSJE!

    Shkrimi fillimisht është publikuar në Gazetën Express.

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark