Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi iu është kundërpërgjigjur deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Bajrami, pasi ky i fundit u shpreh se liberalizimi i vizave është sukses i Qeverisë Kurti.
Krasniqi tha për Insajderi se është hipokrizi të cilësohet si sukses i Qeverisë Kurti, liberalizimi i vizave.
“Është hipokrizi të thuash se liberalizimi i vizave është suksesi i kësaj qeverie, kur më së paku ka merita në këtë proces sepse kriteret e përcaktuara për lëvizje të lirë veç ishin arritur kohë më parë, ndërkaq është rastësi që ajo ka ndodhur për gjatë kësaj periudhe kohore, njëjtë sikurse edhe vendimi i Spanjës për njohjen e pasaportës së Kosovës”, tha ajo.
Sipas deputetes së LDK-së, nëse për diçka ka meritë Kurti është vonesa e liberalizimit.
“Për të vetmin gjë që kanë meritë në këtë proces partia në pushtet me Kryeministrin Kurti, është vonesa e liberalizimit të vizave, përderisa ishte kundërshtar i marrëveshjeve që ishin kusht për lëvizje të lirë. Arritje dhe meritë e kësaj qeverie do të ishte sjellja e ndonjë njohje të re për Pavarësinë e Kosovës apo anëtarësim në organizata ndërkombëtare, por nuk ka ndodhur asnjëra e as tjetra, të cilat varen direkt nga puna e tyre”, shtoi ajo.
Ajo nuk la pa përmendur qeverisjen e Isa Mustafës e Avdullah Hotit, që sipas saj punuan shumë për heqjen e vizave.
“Për procesin e liberalizimit të vizave është punuar me shumë zell për gjatë qeverisjes së LDK-së me Kryeministër Isa Mustafa e më pas edhe në mandatin e Kryeministrin Avdullah Hoti, në plotësimin e kritereve të përcaktaura për lëvizje të lirë, ku të gjitha prej tyre janë arritur para se të vjen në pushtet Albin Kurti, ndërkaq ka qenë BE-ja ajo e cila ka stërzgjatur këtë proces ndonëse ishin përmbushur kriteret për lëvizje të lirë“, u shpreh Krasniqi.
Deputetja e LDK-së rikujtojë veprimet e Kurtit dhe partisë së tij sa ishin në opozitë, duke thënë se për veprimet e tyre të dhunshme qytetarët ‘paguajtën’ çmimin me izolim deri më tani.
“Nëse ju kujtohet në vitin 2015 çështja e liberalizimit të vizave ishte si mundësi që të konkretizohej me miratimin e marrëveshjes për Demarkacionin me Malin e Zi, marrëveshje kjo për të cilën u organizuan veprime të dhunshme nga VV-ja pasi kishin ngritur kauzën se Kosova po humbte 8200 hektarë dhe me bllokimin e saj qytetarët e paguan çmimin e izolimit deri më tani“, theksoi ajo.
/Insajderi