Lëvizja Vetëvendosje e ka quajtur gënjeshtër pretendimin e policisë se aktivistët e arrestuar sot pasdite kanë pasur për qëllim ndaljen e eskortës së kryeministrit, Isa Mustafa.
Sipas tyre të katër aktivistët Zgjim Hyseni, Egzon Azemi, Arbër Morina dhe Lekë Isufi nuk kanë qenë duke e zhvilluar asnjë aksion, raporton Insajderi.
“Të katër aktivistët kanë qenë duke shkuar ta shohin një film në Sallën e Kuqe që ka qenë event i organizuar për 8 Mars. Ata nuk kan qenë duke e bërë asnjë aksion, e as ta ndalojnë eskortën e kryeministrit. Sikur ata do të arrestoheshin për aksion të tillë nuk do të ishin liruar brenda 2-3 orëve”, ka thënë Tinka Kurti, zëdhënëse e VV-së, për Insjaderin.
Më herët VV kishte lajmëruar se aktivistët janë arrestuar derisa po kryenin një aktivitet për 8 Marsin – Ditën Ndërkombëtare të Gruas, raporton Insajderi.
Por më vonë Policia tha se këta persona janë arrestuar se po tentonin ta ndalin eskortën e kryeministrit dhe nuk i janë bindur urdhrave të polisicë rrugore.
“Lajmërimi është zyrtar, dhe ka ndodhur ashtu siç thuhet aty. Ka pasur një tentim ndalje të eskortës së kryeministrit dhe mosbindje ndaj policisë dhe rregullave e urdhrave në komunikacion”, ka thënë Baki Kelani, zëdhënës i Policisë.