Lëvizja Vetëvendosje sot edhe zyrtarisht ka themeluar pikën e saj të re në Suedi. Partia opozitare kosovare ka hapur pikën e re në qytetin e Västra Götaland.
Siç njofton Vetëvendosje, një numër i madh qytetarëve shqiptar të këtij qyteti i janë bashkuar partisë kosovare.
Partia e tretë më e fuqishme e Kosovës krenohet me faktin se “ata mbeten subjekti i vetëm shqiptar që mëton subjektivimin e kombit shqiptar”.
“Brenda dhe jashtë Kosovës, kudo ku ka shqiptarë, VETËVENDOSJE! po përqafohet si organizata e vetme që mëton subjektivimin e kombit shqiptar. Qindra qytetarë po na bashkohen në strukturat e reja dhe Lëvizja po shndërrohet në lëvizje gjithëpopullore”, thuhet në kumtesën e VV-së, raporton Insajderi.
Dega e VV-së në Suedi ka ekzistuar kohë më parë, por ajo tanimë synon të zgjerohet edhe më shumë në shtetin skandinav, i cili është një nga vendet më të populluara me shqiptarë emigrantë në Evropë. /Insajderi.com