Një veturë Mercedes GLA është bërë shkak i një ankesë të një qytetari ndaj policisë së Kosovës.
Sipas mbrojtësit të palës në fjalë, të cilës i ishte konfiskuar përkohësisht vetura, Gjykata e Apelit ka vendosur që ajo t’i kthehet pronarit. Por, edhe pse me vendimin përfundimtar të Gjykatës janë paraqitur në Polici, në stacionin në Klinë, kjo nuk ka ndodhur.
Sipas avokatit, Policia nuk e ka zbatuar këtë vendim, duke u arsyetuar se duhet të marrë urdhër nga Prokuroria.
Por, sipas tyre, kjo nuk është e nevojshme, pasi vendimi përfundimtar i Gjykatës nuk parasheh ndonjë shkresë apo urdhër shtesë nga Prokuroria.

Avokati i tij, Adren Mekaj, ka shkruar se vetura ndodhet në Stacionin Policor në Klinë.
“Megjithatë, përkundër ekzistimit të dy vendimeve gjyqësore obligative dhe të ekzekutueshme, vetura ende nuk i është kthyer pronarit të saj. Sipas informatave të siguruara nga mbrojtja, vetura aktualisht gjendet në Stacionin Policor në Klinë, ndërsa pas komunikimit telefonik që kam pasur personalisht si mbrojtës me zyrtarin e Agjencisë për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar dhe Konfiskuar, jam njoftuar se Agjencia nuk posedon asnjë të dhënë lidhur me këtë lëndë dhe se vetura në fjalë nuk gjendet nën administrimin apo posedimin e saj. Në këto rrethana, moslirimi i veturës përbën mbajtje të kundërligjshme të pasurisë së klientit tim, ndonëse nuk ekziston më asnjë bazë juridike për vazhdimin e sekuestrimit apo ndalimit të saj”, tha ai.
Mekaj ka kërkuar që vetura t’i dorëzohet sa më parë pronarit.
“Andaj, duke u bazuar në aktvendimet e lartcekura dhe me qëllim të zbatimit efektiv të tyre, i propozojmë dhe njëkohësisht lusim gjykatën që të nxjerrë urdhër të posaçëm për lirimin e menjëhershëm dhe dorëzimin e veturës pronarit të saj, duke obliguar organin kompetent që aktualisht e mban veturën në posedim”, ka thënë ai.