×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Video e Millan Radojçiqit ekspozon dështimin e Prokurorisë kosovare për ta hetuar Listën e Zezë amerikane

    Insajderi
    13 July 2022 - 12:21

    Një video e Millan Radojçiqit, i njohur si lideri i krimit të organizuar në Veri të vendit, e bërë në një kodër në Leposaviqit ka treguar edhe një herë mungesën e kontrollit të autoriteteve të Prishtinës në atë pjesë të territorit të Republikës. Më shumë se sa vetëm mos-ekzekutim i një urdhër-arresti të Prokurorisë Themelore në Ferizaj kundër tij për rastin “Brezovica”, kjo video ekspozon Prokurorinë kosovare edhe para dështimit për të hetuar njerëzit që ShBA-ja i futi në Listën e Zezë të sanksioneve.

    I shumëkërkuari nga organet e drejtësisë, Millan Radoiçiq, është shfaqur në veri të Kosovës. Së paku kështu tha ai përmes një video e cila u publikua ditë më parë.

     “Terrori i vërtetë ndaj serbëve vetëm sa po fillon. Për njerëzit e mi në veri dhe për të gjithë serbët, më lejoni të themi, mbi të gjitha, jam këtu, jam kthyer, dhe e dini se çka do të thotë kjo sepse nuk ka kthim prapa nga këtu. Rroftë Serbia”, thotë Radojçiq në videon që pretendohet të jetë incizuar në Kosovë, por e cila ende nuk është konfirmuar, shkruan Gazeta Insajderi.

    Radoiçiq, është një nga të dyshuarit kryesor për vrasjen e politikanit serb në Kosovë, Oliver Ivanoviq, ndaj tij institucionet kosovare kanë lëshuar një urdhër arrest për rastin e njohur si “Brezovica”.

    Lidhur me këtë prokurori i rastit, Rasim Maloku, ka thënë për Gazetën Insajderin se fletarrestimi ndaj Millan Radoiçiq është ende aktiv dhe se në momonetin që ai do të haset nga Policia e Kosovës do të arrestohet.

    “Ai ka fletarrest, është punë operative e Policisë me arrestu ku t’haset”, tha Maloku, shkruan Gazeta Insajderi.

    I kërkuar nga Prokuroria kosovare për rastin “Brezovica”, Millan Radojqiq muaj më parë i shpëtoi arrestimit në kufi. Ai ishte ndaluar në shkurt, në pikën kufitare në Bërnjak derisa po tentonte të futej në Kosovë, por që i kishte ikur Policisë së Kosovës, për çka lidhur me ikjen e tij IPK pati suspenduar tre zyrtarë policorë që ishin në detyrë

    Ai është po ashtu në Listën e Zezë të ShBA-ve.

    Por, as këto fakte nuk e kanë penguar atë që të tallet me Prokurorinë e Policinë e Kosovës, derisa është lajmëruar me video nga Veriu. Ndonëse prokuri, Maloku tha për Gazetën Insajderi se “video do të verifikohet”.

    ShBA fut në Listë të Zezë bosin e Veriut

    Autoritetet amerikane më 8 dhjetor kanë futur në listën e sanksioneve një grup të organizuar kriminal, që përbëhet nga serbët nga Kosova: Millan Radoiçiq, Zvonko dhe Zharko Vesellinoviq, Srgjan Vulloviq, Zhelko dhe Andrija Bojiq dhe Radulle Steviq.

    Në komunikatën e Departamentit amerikan të Thesarit, ky është i angazhuar në skema të mëdha të ryshfetit me zyrtarë të sigurisë, kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë trafikimin e paligjshëm të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve midis Kosovës dhe Serbisë, thuhet në komunikatë.

    Sipas saj, grupi gjithashtu ka bërë komplot me politikanë të ndryshëm për favore të ndërsjella, përfshirë dhënien e ryshfetit zyrtarëve kosovarë të sigurisë, për të lejuar operacione të tyre të kontrabandës midis Serbisë dhe Kosovës në fillim të vitit 2019 dhe dhënien e ryshfetit zyrtarëve kufitarë të Kosovës për t’iu lejuar kontrabandistëve kalim të sigurt në fund të vitit 2017, shkruan Gazeta Insajderi.

    Prokuroria nuk ka treguar nëse pas zbardhjes së emrave nga Lista e Zezë amerikane kanë kanë nisur hetimet ndaj biznesmenëve serbë që përmes bizneseve të tyre e kanë shtrirë ndikimin në Veri të Kosovës.

    Ndryshe, nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq, që pashmangshëm gjendet në Listën e Zezë ameriken si dyshuari për kontrabandë në Veri, objektin e njërit biznes e ka qitur në shitje.

    Gazeta Insajderi e ka siguruar një fotografi ekskluzive, ku shihet biznesi “Metal” i Radojçiq, asetet e të cilit tashmë janë në treg.

    Kush tjetër është pjesë e Listës së Zezë amerikane?

    Departamenti amerikan i thesarit ka renditur një listë të gjatë biznesesh e individësh të cilët iu
    nënshtrohen tash e tutje sanksioneve amerikane. Listës i prinë Millan Radojçiq, dhe i dyshuari për kontrabandë në Veri për kohë të gjatë, Zvonko Veselenovic, të dy të ndërlidhur me njëri-tjetrin. Si dhe njerëz të tjerë përreth tyre.

    Kompania “RAD”, e ndërlidhur me Radojçiqin që është përmendur në këtë raport amerikan, është
    kontraktor madje edhe i Qeverisë së Kosovës, por edhe për shumë tenderë, është kontraktor i
    komunave, e me theks të veçantë i atyre me shumicë serbe.

    Pas këtij raporti, Zyra Amerikane për Asetet e Jashtme ka freskuar listën e individëve e kompanive që
    sanksionohen nga shteti amerikan në Kosovë, apo ajo që njihet si lista e zezë e Amerikës.

    Kësaj liste i prin Andrija Zheljko Bojiq që cilësohet si personi që ka ndihmuar materialisht, sponsorizuar
    dhe ofruar mbështetje financiare, materiale ose teknologjike në mbështetje të Veselinoviqit.

    Po për lidhje me Veselenoviqin, në listë është futur edhe Zeljko Bojic, i lindur në vitin 1969, serb i
    Kosovës. Bojiq, ish-polic në veriun e Kosovës, konsiderohet si një prej personave të dyshuar për lidhje
    me vrasjen e politikanit serb, Oliver Ivanoviq, më saktë, për fshehjen e provave që mund të conin në
    zbardhjen e këtij krimi. Njësia Speciale e Kosovës në vitin 2019-të pati bastisi banesën e Bojiq, ndonëse
    këtë të fundit nuk e gjeti aty pasi dyshohet se është arratisur në Budva të Malit të Zi, arrestoi djalin e tij
    Velko Bojiq.

    Sanksione i janë vënë edhe “Farma Izvori”, kompani që merret me rritjen e pemëve e perimeve, data e
    themelimit 29 maj 2015. E lidhur me Sinisha Nedeljkovic.

    Lista po ashtu është freskuar me emrin e kompanisë “FERARI PREDUZEE”, kompanisë që merret me
    shitjen me shumicë të makinerive dhe pajisjeve të tjera, kompani që nisi në vitin 2002 dhe e ndërlidhur
    me Zvonko Veselinovic.

    Kësaj liste nuk i mungojnë as kosovarët me kombësi shqiptare. Donata Kelmendi nga Peja, vajza e Naser
    Kelmendit që medialisht portretizohet si bosi i trafikut të drogës në Ballkan, është në atë listë
    sanksionesh.

    Në listë po ashtu është edhe babai i saj, Naseri, si dhe vëllai i saj Elvisi. Në këtë listë të zezë sanksionesh
    pastaj janë renditur edhe bizneset e kontrolluara nga ta si “Kaza grande”, firmë për eksport-import në
    Mal të Zi, Hotel Kaza Grande në Ulqin, kompania afariste Donata nga Mali i Zi, pastaj hotel Kaza Grande
    nga Bosnja dhe kompania Dona-Shell, selia e së cilës është në Kosovë. Naser Kelmendi është gjykuar
    edhe në Kosovë.

    Elvis Kelmendi ishte shfaqur në publik në vitin 2019, ku përmes një video inçizimi kishte kërcënuar Demë
    Elshanin, me familjen e të cilit janë në hasmëri që 21 vite. Elvis Kelmendi ishte vënë në listën e zezë të
    SHBA-së si trafikant i drogës, së bashku me babain e tij Naser Kelmendin dhe vëllezërit Besnikun dhe
    Liridonin. Ai po vazhdon të kërkohet nga Policia e Kosovës.

    Lista e Zezë për kosovarë vazhdon me Milan Mihajloviq, i lidhur me Zvonko Veselinoviqit i përshkruar si
    lideri i një Grupit të Organizuar Kriminal.

    Po për lidhje me Veselenoviqin në listë është futur edhe Sinisha Nedeljkoviq,nga Zveçani që njihet me
    pseudonimin “Sinisha Metal”. Pos aseteve në Kosovë, nën sanksione janë edhe asetet e tij në Serbi, që
    sipas raportimeve, janë shtatë kompani serbe, por në publik dihen “Metal Robna Kuça” dhe “Markom
    Metal Commerce”.

    Lista e Zezë amerikane ka sanksionuar edhe kompaninë “BABUDOVAÇ” që merret me shitje me shumicë
    të ushqimeve, pijeve dhe duhanit dhe është e lidhur me emrin e Miljan Radisavljeviq.

    Firma tashmë e famshme e tenderëve në Kosovë, por jo vetëm. “RAD”, është e dallueshme lehtë në
    listën e zezë të sanksioneve. Ajo ka fushëveprim ndërtimet. Autoritetet amerikane, por jo vetëm ato, e
    përshkruajnë si kompania që kontroll direkt ushtron mbi të nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiq.

    Për lidhje me të dyshuarin tjetër si bos i kriminalitetit në Veri, Zvonko Veselenoviq, shteti amerikan ka
    sanksionuar edhe Radovan Radiq, Miljojko Radisavljeviç e Milijan Radisavljeviq, nga Zubin Potok.

    Pos kompanisë “RAD”, vend të veçantë i është bërë në listë vetë Millan Rajko Radojçiqit, i lindur në
    Gjakovë. Pos me kontrabandë, tenderë, ndikim politikë, emri i lidhet me vrasjen e politikanit serb në
    Kosovë, Oliver Ivanovic.

    Milan Radojiçiq është i afërt i Zvonko Veselinoviq, i njohur si ‘baba i urës së Ibrit’.

    Pos shtetit amerikan, edhe vet shteti serb i ka hetuar këto dy fytyra të botës së krimit në Veri. Një raport i shërbimit sekret serb, BIA që ishte pjesë e dosjes së Veselenoviqit e që e ka siguruar InDoks thotë se ky shërbim ka fakte se Veselinoviq e Radojçiq janë liderë të grupit kriminal në veri të Kosovës e që ka lidhje të fuqishme me shumë persona nga Serbia dhe bota e jashtme dhe për një periudhë të gjatë kohore ndërmerr aktivitete të tregtisë ilegale me narkotik, kontrabandë me armë, municion shpëlarje të
    parave.

    BIA konstaton se Veselenoviqi drogën e merr nga shqiptarët, derisa atyre iu sjell në Kosovë armë ilegale.
    “Pjesa më e madhe e armatimit dhe municionit të me të cilat Veselinoviqi furnizohet në Serbi në mënyrë
    ilegale i e shpërndan në hapësirën e Kosovës me ndërmjetësimin e Ismet Osmanit-Currit, i cili, për këtë
    qëllim, e ka lidhur me anëtarët e grupeve kriminale nga rajoni i pjesës jugore të Mitrovicës”, thuhet në
    këtë raport që është deponuar në Gjykatë.

    Shërimi serb thotë se Veselenoiqi e përdorte Veriun e Kosovës madje edhe për të mashtruar Serbinë,
    pasi që nafta që dedikohej pa taksë nga Serbia për serbët në veri të Kosovës ai e ri-shiste në Jug të
    Serbisë pastaj si të kontrabanduar. Për këtë ai e ka përdorur firmën “Knez Petroll”.

    Raporti thotë dhe se Veseljenoviqi një pjesë e parave të fituara me krim i plason në rrjedhe legale
    financiare, me investime në ndërtimtari në Veri të Kosovës apo në blerje të patundshmërive në Serbinë
    qendrore, si dhe duke i dhënë ato para me fajde.

    Edhe EULEX kishte krijuar dosje të veçantë për Veselenoviq, e kishte mbledhur copëza të historisë
    kriminale të Millan Radojçiqit, që ktheheshin pas që në vitin 2003.

    Në Listën e Zezë është futur edhe firma “RADOVAN RADIQ” që merret me ndërtimin e projekteve të tjera
    të inxhinierisë civile, si dhe pronari i saj me emër të njëjta, pastaj firma “RADULE STEVIQ”, që po ashtu ka
    për pronar personin me emër të njëjtë.

    REVIVAL OF ISLAMIC HERITAGE SOCIETY, është një grup organizatash fetare që figuron në këtë listë të
    zezë. Në të janë disa organizata, kryesisht jo-qeveritare, të themeluara në Kosovë, që janë sanksionuar
    nga shteti amerikan dhe dallohen “RIHS-KOSOVO” e “DORA E MIRESISE”.

    Po për dyshime si i përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit dhe i lidhur me Veselenoviq, në listë është
    futur edhe Marko Rosiq, i lindur më 1993 në Mitrovicë.

    Firma “PRIZMA B.I” që merret me ndërtim të projekteve të inxhinierisë civile, e krijuar në vitin 2001
    është futur në listën e sanksioneve për lidhje po me Veselenoviçin.

    Për lidhje me Veselenoviqin në këtë listë kanë përfunduar edhe Radule Steviq nga Leposaviqi e Zharko
    Jovan Veselinovic nga Zveçani.

    Zvonko Veselinoviç i njohur në Kosovë dhe në Serbi për kontrabandë me derivate të naftës, me tekstil,
    vetura dhe mekanizëm tjetër të rëndë është i njohur edhe për faktin se ishte gjetur në grupin e njerëzve
    të cilët pengonin kalimin e shqiptarëve nga jugu në veri të Mitrovicës dhe i cili ishte organizatori kryesor
    për vendosjen e barrikadës mbi urën kryesore të lumit Ibër në korrikun e vitit 2011.

    Në Listën e Zezë e ndërlidhur me Veselenoviqët, është futur edhe biznesi S.T.R. KRISTAL i
    krijuar në vitin 2005 që merret me formësimin, përpunimin e shitjen e qelqit.

    Emisioni hulumtues “InDoks”, prodhim i Gazetës Insajderi, në fund të vitit të kaluar ka zbardhur gjithë emrat e Listë së Zezë amerikane, dhe lidhjet e tyre me krimin dhe kontrabandën në Veri të vendit, dhe jo vetëm.

    Dokumentarin e titulluar “BlackList” të plotë mund ta shikoni më poshtë:

    © Gazeta Insajderi

    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark