×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Viti i trazuar i Albin Kurtit – ngritja dhe rënia nga pushteti

    Insajderi
    30 December 2020 - 20:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Eros Klaiqi

    Albin Kurti ka kaluar vitin më të trazuar prej se është aktiv në politikë. Ka përjetuar ngjitjen dhe rënien nga pushteti brenda 47 ditësh. Nga dështimi i “koalicionit të shpresës” tek përplasja me Richard Grenellin.

    Albin Kurti ka kaluar jo pak vite të trazuara përgjatë aktivizmit të tij politik. Por edhe më i trazuar për liderin e Lëvizjes Vetëvendosje ishte viti 2020.

    Nga ngjitja për herë të parë në pushtet dhe rrëzimi i shpejtë brenda 47 ditësh, tek përplasjet frontale me partnerët e koalicionit qeverisës. Nga njeriu që premtonte t’i printe negociatave me Serbinë, tek hapja e një fronti ndaj Richard Grenellit.

    Fillimi i vitit e gjeti Kurtin në mes të një procesi të gjatë të bisedimeve me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e të ashtuquajturit “koalicioni i shpresës”. Por shpresat u zbehën pas tre muajsh negociatash për poste dhe pushtet.

    Dallimet mes VV-së dhe LDK-së reflektuan edhe pas formimit të shumicës parlamentare që e zgjodhi Kurtin kryeministër më 3 shkurt. Qëndrimi i Kurtit në pushtet u nda në dy faza: 47 ditë si kryeministër dhe 72 si kryeministër në detyrë.

    Plagët e koalicionit u rënduan pas mospajtimeve për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë dhe sidomos atyre për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme.

    Në ditët e para të tij si shef i ekzekutivit, Kurti e bëri të qartë qëndrimin e tij për heqjen e tarifës dhe vendosjes së reciprocitetit të plotë me Serbinë. Nguli këmbë në qëndrimin e tij pavarësisht prej presionit të Richard Grenell, emisarit special të ShBA-ve për dialogun, kundër taksës dhe reciprocitetit.

    Por linjën e Kurtit nuk e ndoqën partnerët e Kurtit në qeveri. Ata u rreshtuan krah të dërguarit special të Presidentit Donald Trump për dialogun.

    Shpërfaqja e raporteve të pasinqerta ndërmjet partnerëve të “koalicionit të shpresës” u vu në pah më 18 mars, kur kryeministri Kurti shkarkoi ministrin e LDK-së, Agim Veliun, se nuk ishte në vijë me qëndrimet e tij rreth shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme.

    Kurti shprehej se qëndrimi i ish-ministrit Veliu për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme që binte ndesh me qëndrimin e qeverisë, i shprehur në një televizion nacional gjatë mesnatës, ishte arsyeja e shkarkimit të Veliut.

    Si kundërpërgjigje, LDK-ja inicioi mocion mosbesimi ndaj qeverisë dhe me mbështetjen e të gjitha partive opozitare rrëzoi Kurtin në ditën e 47-të të qeverisë.

    Në nismën për rrëzimin e qeverisë, LDK-ja e quajti Kurtin “antiamerikan” dhe kryeministër aë “rrezikon marrëdhëniet me ShBA-të”.

    “Kemi vendos që LDK-ja të iniciojë mocionin e mosbesimit për rrëzimin e qeverisë Kurti, sepse ne nuk dëshirojmë të jemi pjesë e një qeverisje të tillë dhe po ashtu jemi të bindur se një qeveri e tillë rrezikon marrëdhëniet me SHBA-të dhe prezencën ushtarake dhe paqësore amerikane këtu”, tha kryetari i LDK-së, Isa Mustafa.

    Për Kurtin, deklarimet e krerëve të LDK-së ishin thirrje të dëshpëruara që kishin qëllim goditjen e lëvizjes së tij politike.

    “Këtë e kanë thënë edhe kur ka filluar Lëvizja Vetëvendosje, e edhe kur tash jam kryeministër. Janë të njëjtat thirrje të dëshpëruara. Kosova është mbase vendi më proamerikan në botë”, shprehej Kurti.

    Me rrëzimin e qeverisë, diskursi i Kurtit u ashpërsua edhe më. Ai u rreshtua i vetëm, përball të gjithëve.  

    Në ditën e rrëzimit të qeverisë, kryeministri në detyrë intensifikoi goditjet ndaj asokohe presidentit Thaçi. Riktheu në diskursin publik idenë për ndarjen e Kosovës. Tha se kjo ide, sipas tij e planifikuar mes presidentëve Thaçi dhe Vuçiq, nuk kishte vdekur.

    “Shkëmbimi territorial dështoi, por kjo s’do të thotë që ideja ka vdekur. Se ka pasur thika mbi harta, e kanë vërtetuar vetë. Më 19 qershor, Richard Grenell në një intervistë tha se për shkëmbimin territorial ka dëgjuar nga ish-këshilltari për siguri, John Bolton, dhe tre muaj më herët Grenell tha se s’ka dëgjuar, ai e kundërshtoi veten, por e konfirmoi se Bolton ka qenë në çështjen e shkëmbimit territorial”, tha Kurti.

    Fjalimi i Kurtit në mbrëmjen e 25 marsit në Kuvend, u demantua nga Shtëpia e Bardhë. Në një deklaratë të Administratës Trump, theksohej se ndarja e territoreve nuk është diskutuar asnjëherë në bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë.

    Nga 25 marsi, Kurti vazhdoi fazën e dytë të tij në pushtet: atë si kryeministër në detyrë. Kjo fazë për Kurtin nisi me shkarkimin e zëvendëskryeministrit nga LDK-ja, Avdullah Hoti, i cili do t’ia zinte Kurtit karrigen e kryeministrit në qershor të 2020-s.

    Pak muaj më vonë, qeveria e udhëhequr nga dikur zëvendësi i Kurtit arriti nënshkroi marrëveshjen ekonomike me Serbinë, të ndërmjetësuar Grenell, rivali tjetër i Kurtit. Doli se nuk pati “thika mbi harta”. Megjithatë, edhe në këto kushte, Kurti e cilësoi si të papranueshme marrëveshjen.

    Vendimet e Kurtit si kryeministër

    I ngjitur në pushtet me premtimin për ndryshimin e madh që do ta kishte parësor interesin e vendit, qeverisja e Kurtit u përcoll me një sërë vendimesh kontraverze dhe populiste.

    E nisi me shkarkimin e bordeve të ndërmarrjeve publike. Por, ajo që nga Kurti u proklamua si çkapje e shtetit, për shumëkënd u konsiderua si “çkapje për kapje”.

    Edhe pse shkarkoi anëtarët e bordeve publike, të mbushura me militantë partiakë, Kurti vendosi disa njerëz të partisë së tij në bordet e përkohshme të këtyre ndërmarrjeve. Së paku katër nga 27 të emëruarit në borde ishin anëtarë të Lëvizjes Vetëvendosje.

    Përpos shkarkimeve në borde publike, Qeveria Kurti shkarkoi edhe shtatë ambasadorë – në mesin e tyre edhe Vlora Çitakun, e cila shërbente si udhëheqëse e misionit diplomatik të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

    Por, njësoj sikurse qeveritë e kaluara të shumëkritikuara nga lëvizja politike e Albin Kurtit, edhe ajo e Kurtit nuk shkojë pa lënë shijen e hidhur të dyshimeve për keqpërdorimin e parasë publike.

    Qeveria e udhëhequr nga Kurti dyshohet se favorizoi njerëzit e afërt të krerëve të saj në qeveri në lidhje me disa kontrata publike. Fillimisht e angazhoi portalin Kallxo.com, të afërt me zv/kryeministrin Haki Abazi, për realizimin e video-ligjëratave të arsimit fillor dhe të mesëm.

    Me shfaqjen e pandemisë në fillimin e muajit mars në Kosovë, Ministria e Shëndetësisë e qeverisë Kurti lidhi një sërë kontratash të negociuara me kompani farmaceutike. Siç raportoi Insajderi, kontrata publike nga qeveria Kurti përfituan edhe njerëz që kishin lidhje me ministrin Arben Vitia.

    Një tjetër aferë, për të cilën raportoi Insajderi, ishte ajo e një procesi të prokurimit në Korporatën Energjetike të Kosovës ku fitues u përzgjodh një mik i ministres Rozeta Hajdari.

    Me kritika të ashpra, qeveria Kurti u përball edhe për menaxhimin e pandemisë COVID-19. Me qëllim parandalimin e pandemisë, qeveria vendosi të aplikonte mbylljen totale. Në këtë rast mbylli shumë biznese.

    Mbyllja e tyre i dha goditje ekonomisë së vendit. Shumë punëtorë humbën vendin e tyre të punës, ose u ballafaquan me zvogëlim të rrogës.

    Këto masa do të rezultonin për ekonominë e vendit, edhe ashtu e brishtë. Bizneset do të mbesnin pa të ardhura, ndërkohë që shumë punëtorë do të përjetonin makthin e zvogëlimit të rrogës apo edhe të humbjes së punës.

    Si reaksion i mbylljes, Kurti miratoi Pakon Emergjente që do të peshonte vetëm 170 milionë euro, e cila konsiderohej si e pamjaftueshme për të sanuar dëmet e shkaktuara në ekonomi. Dëmet nuk u rregulluan as nga qeveria pasuese, e cila vonoi tejmase Projektligjin për Pakon e Rimekëmbjes.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark