Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave, Kosova ka arritur deri në të 4-ën.
Gazeta Insajderi
Para disa muajve e kërkoi enkas Holanda, kurse tashmë u është dorëzuar të gjitha vendeve anëtare të Bashkimit Evropian.
Bëhet fjalë për një të ashtuquajtur “Non-Paper” të përpiluar nga Komisioni Evropian që thotë se Kosovës duhet t’i liberalizohen vizat, kjo pasi shteti i ri, në periudhat e fundit kohore, ka vendosur “kornizë të fortë ligjore e operacionale” për luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar dhe përballje me rreziqet e sigurisë e ato të migracionit.
Në dokumentin që ka pasur qasje Klan Kosova, i cili s’është publik, thuhet se komisioni i qëndron prapa raporteve që i bëri më 2016 e 2018, që konfirmojnë përmbushjen e kushteve për heqjen e regjimit të vizave.
Ndërkohë të mërkurën dhe të enjten bëhet hapi i parë i madh drejt hyrjes së liberalizimit në agjendë.
Më 12 dhe 13 tetor, sipas njoftimit zyrtar, Grupi Punues për Vizat në kuadër të Këshillit Evropian, shqyrton dokumentin e lartpërmendur. Plani fillestar ishte që grupi të mblidhet vetëm më 13 tetor.
Ndërkaq, të premten më 14 tetor mblidhen ministrat e Punëve të Brendshme të Unionit, më saktësisht Këshilli i Shengenit.
Aty do të diskutohet situata e përgjithshme, me fokus të veçantë në menaxhimin e kufijve të jashtëm dhe do të vendosin veprime në këtë fushë.
Vendimin final për liberalizim, pas kryerjes së procedurave paraprake, e merr Këshilli Evropian (KE) me shumicë të kualifikuar.
Deri më 31 dhjetor, presidencën e BE-së e mban Çekia, që lëvizjen e lirë për kosovarët në zonën Shengen e ka vendosur si njërin prej top prioriteteve të saj, sa i përket Ballkanit Perëndimor.
“Shkallët” deri te liberalizimi i vizave
Kosova mbetet i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë që nuk gëzon liberalizimin e vizave edhe pse i ka plotësuar kushtet para disa vitesh. Një rrugë e cila ka nisur 12 vite më parë ende nuk ka përfunduar.
Deri më tash nga 13 “shkallë” sa janë për të arritur liberalizmin e vizave, Kosova ka arritur deri në të 4-tën.
1. Korrik 2018: Komisioni Evropian rekomandon liberalizimin e vizave për Kosovën
2. Gusht 2018: Komiteti LIBE voton pro rekomandimit të KE-së për liberalizimin e vizave për Kosovën
3. Shtator 2018: Parlamenti Evropian konfirmon mandatin për negociata me Këshillin e BE-së për liberalizimin e vizave dhe
4. Shtator 2019: Komiteti LIBE voton sërish për fillimin e negociatave me Këshillin e BE-së, për të vazhduar me hapat e mbetur për liberalizimin e vizave.
Ndërkaq hapat që ende nuk ka arritur procesi për heqjen e vizave e që duhet të arrihen janë:
5. Ambasadorët e BE-së votojnë për liberalizimin e vizave
6. Mbajtja e takimit trepalësh ndërmjet Komisionit Evropian, Këshillit Evropian dhe Parlamentit Evropian
7. Ambasadorët e BE-së miratojnë marrëveshjen e arritur nga tri institucionet
8. Parlamenti Evropian voton për liberalizimin e vizave
9. Ambasadorët e BE-së votojnë me shumicë të thjeshtë për liberalizimin e vizave
10. Këshilli i Ministrave të BE-së miraton me shumicë të thjeshtë liberalizimin e vizave
11. Akti ligjor nënshkruhet nga përfaqësuesit e institucioneve të BE-së: Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian
12. Vendimi publikohet në Gazetën Zyrtare, duke përfshirë datën e hyrjes në fuqi dhe
13. Liberalizimi hyn në fuqi.
Nga gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor që mbeten jashtë BE-së, vetëm qytetarët e Kosovës nuk mund të lëvizin lirshëm në vendet evropiane, apo në atë që njihet si zona Shengen.
Kosova, ashtu si edhe Bosnje e Hercegovina, ka vetëm Marrëveshje Stabilizimi me BE-në, që është hapi i parë drejt anëtarësimit në bllok. Mali i Zi, Serbia, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, ndërkaq, i kanë hapur negociatat për anëtarësim në BE./Gazeta Insajderi/