Vizatim të portretit të tij dhe CD të Charlie Chaplinit- Kurti "kampion" i dhuratave, i deklaron 160 sosh - Insajderi
×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Analiza

    Vizatim të portretit të tij dhe CD të Charlie Chaplinit- Kurti “kampion” i dhuratave, i deklaron 160 sosh

    Insajderi
    26 June 2025 - 14:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka marrë një sasi të konsiderueshme dhuratash përgjatë vitit që shkoi. Kurti ka deklaruar libra, pije alkoolike, çanta krahu, parfuma e fanella sportive që ka pranuar. Sikurse të ishte i obsesionuar me vetën e tij, ai për dhuratë ka pranuar edhe një portret të tijin. Gjithashtu edhe katër CD të Charlie Chaplinit.

    Kurti ka deklaruar përreth 160 dhurata të ndryshme që i ka pranuar nga janari e deri në fund të dhjetorit të vitit që shkoi pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit, raporton Gazeta Insajderi.

    Kurti përgjatë vizitave me figura të ndryshme politike e artistike në të shumtën e rasteve ka pranuar libër apo set librash.

    Shefit të Qeverisë s’i kanë munguar dhuratat nga diaspora. Përgjatë takimit me një mbështetës të Lëvizjes Vetëvendosje nga diaspora, Sedat Haxhijaha në janar të 2024-ës, Kurti ka pranuar verë, parfum dhe çantë për produktin kozmetik. Dhurata është kategorizuar si “e rastit” dhe personale.

    Po ashtu, në një takim me dy persona të diasporës Kurti ka deklaruar pranë Agjencisë për Parandalimin e Korrupsionit se ka pranuar një portret të tijin për dhuratë përgjatë janarit të 2024-ës.

    Përgjatë një takimi me regjisorin Isa Qosja më 22 janar të 2024-ës, nga Zyra e Kryeministrit kanë deklaruar se Kurti ka pranuar si dhuratë 4 CD të aktorit me famë botërore filmave komedi, Charlie Chaplin.

    Kurti ka të deklaruara edhe fanella sportive. Dy nga to i ka të pranuara nga futbollisti i Kombëtares së Kosovës, Amir Rrahmani, një nga to përgjatë vizitës tek 3X3 Prishtina, një të klubit FC Prishtina dhe një të klubit Iliria.

    Kreu i VV’së ka deklaruar se dhuratë ka marrë edhe nga këngëtari i mirënjohur, Sabri Fejzullahu. Një mirënjohje dhe një CD album.

    Po ashtu, përgjatë një takimi me ministrin e Haxhit të Arabisë Saudite ka pranuar një dekor me motive islame.

    Numër shumë më të vogël të dhuratave ka deklaruar zëvendëskryeministri në detyrë, Besnik Bislimi. Ai i ka të deklaruara 19 dhurata.

    Njëra nga to është një stilolaps i pranuar nga Thijs Reuten, i cili është dorëzuar në muze meqë me atë stilolaps ishte nënshkruar akti për liberalizimin e vizave.

    Bislimi i ka dhuratat e pranuara kryesisht nga diplomatë të huaj, që përfshijnë: Libra, fletore, kollare, filxhana për kafe etj.

    Lista e plotë e dhuratave:


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2025 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark