Një vjedhje e rëndë është raportuar mbrëmë në fshatin Carrabreg të Komunës së Deçanit. Pronari i shtëpisë ka njoftuar policinë se persona të panjohur kanë depërtuar në banesën e tij përmes një dritareje dhe kanë vjedhur një kasafortë që përmbante një shumë të madhe parash dhe stoli ari.
Gazeta Insajderi mëson se shuma e raportuar nga viktima arrin në 150 mijë euro.
Lajmi është konfirmuar edhe nga zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.
“Mbrëmë është raportuar një vjedhje rreth 150 mijë euro, sipas viktimës. Hetimet kanë filluar dhe bashkë me prokurorin kemi dalë në vendin e ngjarjes për të kryer ekzaminimet e nevojshme ndaj personave të mundshëm të kryerjes së kësaj vepre, si dhe për identifikimin dhe arrestimin e tyre”, ka deklaruar Nikçi.
Rasti është raportuar edhe në Policinë e Kosovës dhe është cilësuar si vjedhje e rëndë.
Sipas njoftimit policor:
“Më 19.11.2025, në Carrabreg të Deçanit, ankuesi ka raportuar se persona të panjohur kanë depërtuar përmes dritares në shtëpinë e tij dhe kanë vjedhur një kasafortë në të cilën gjendeshin një shumë e konsiderueshme parash dhe stoli ari. Rasti është në hetim.”