Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është deklaruar rreth situatës së krijuar tash e ca ditë në veri të vendit. Gjatë fjalimit të saj në Kuvend, Osmani u ka dhënë përgjigje bandave kriminale në veri e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, shkruan Insajderi.
Presidentja ka pranuar se veriu i Kosovës vazhdon të mbetet sfidë dhe kjo sipas saj po ndodh për shkak pretendimeve territoriale që Serbia i ka ndaj Kosovës e të cilat i shpreh përmes financimit të strukturave kriminale.
“Bandat kriminale nuk do të mund ta mbisundojnë dëshirën e qytetarëve tanë, edhe atyre në veri, për të jetuar të lirë në atdheun e tyre, në Kosovës”, ka deklaruar ajo para deputetëve.
“Por le ta kenë të qartë se kjo është rrugë nga e cila nuk devijojmë dhe nga e cila asnjëherë nuk do të heqim dorë. Ata do të përballen me drejtësi për veprat penale kundër rendit kushtetues si dhe për frikësimin e kërcënimin që po ua bëjnë qytetarëve tanë”, u shpreh ajo.
E para e shtetit deklaroi se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq e di mirë se ushtria serbe s’mund të kthehet më kurrë në Kosovë.
“Serbia dhe udhëheqësi i saj Vuçiq e dinë fare mirë se prezenca e ushtrisë serbe mori një herë e përgjithmonë më 12 qershor 1999, kur trupat e NATO-s thyen boshtin kurrizor të idesë hegjemoniste të Serbisë për një Kosovë pa shqiptarë, ku shfarosja ishte qëllimi gjenocidal i tyre”, tha ajo.
Ndërkohë, Osmani i ka falënderuar policët, zyrtarët e sigurisë dhe ata të inteligjencës për punën që po bëjnë.