Ky edicion i dytë i Big Brother VIP Albania duket shumë dinamik, me debate e ngjarje që kanë prekur edhe opinionin publik. Debatet e forta mes Oltës dhe Gent Hazizit, rrëfimi i Luiz Ejllit se ai vuan nga një sëmundje, por më pas rezultoi se ai gëzon shëndet të plotë, romancat e para Luiz-Kiara e Dea Mishel – Amos. Të gjitha këto ngjarje në vetëm 3 javë.
Së fundmi ka ardhur edhe puthja e parë në shtëpinë e Big Brother VIP, mes Amos Zaharisë dhe Dea Mishelit, dyshes që ka shfaqur një lloj kimie në marrëdhënien e tyre dhe duket se mund të jetë një nga çiftet e këtij edicioni.
Edhe pse blogerja e ka mohuar të ketë një pëlqim apo ndjenja për aktorin, një romancë duket në horizont mes këtij çifti, që mbrëmjen e parë kanë shkëmbyer edhe puthjen e parë me njëri-tjetrin.
Gjithçka ishte në kuadër të një skene filmi që ata duhet të realizonin me njëri-tjetrin, ku Dea Mishel zgjodhi Amosin. Në realizimin e kësaj skene ndihmuan edhe banorët e tjerë, teksa duhet thënë se kjo ishte edhe puthja e parë e këtij edicioni në shtëpinë e Big Brother.