Vjosa Osmani deklarohet pas takimit me Macron, tregon çfarë diskutuan - Insajderi
×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Vjosa Osmani deklarohet pas takimit me Macron, tregon çfarë diskutuan

    Insajderi
    10 November 2022 - 18:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Presidenti i Francës, Emmanuel Macron priti sot në një takim të përbashkët presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin Albin Kurti të cilët po qëndrojnë në një vizitë zyrtare në Paris.

    Pas takimit ka reaguar presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, përmes një shkrimi në rrjetin social, Facebook, dha detajet nga takimi me Macronin.

    Ajo tha se së bashku me Kurtin diskutuan për partneritetin mes dy shteteve, dinamizimin e dialogut me Serbinë dhe zhvillimet e fundit në vend.

    “Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare” – shkroi ndër tjerash ajo.

    Postimi i plotë:

    Në Pallatin Élysée, bashkë me Kryeministrin Kurti, u pritëm nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron për të diskutuar partneritetin në mes të dy shteteve tona, dinamizimin e dialogut me Serbinë, si dhe zhvillimet e fundit në vendin tonë.

    Shprehëm përkushtimin e plotë të institucioneve të Kosovës për procesin e dialogut, të bazuar në ruajtjen e sovranitetit, rendit kushtetues, integritetit territorial dhe funksionalitetit të Kosovës, të cilat janë të paprekshme.

    Diskutuam edhe veprimet destabilizuese të Serbisë, përmes fuqizimit të strukturave ilegale të saj në Kosovë, frikësimit të qytetarëve serbë dhe nxitjes së grupeve kriminale për ta cenuar rendin dhe ligjin në veri. Kosova mbetet e angazhuar, në koordinim me partnerët ndërkombëtar, për paqe, stabilitet dhe për të garantuar një mjedis të sigurt për të gjithë qytetarët e vendit. Ndërkaq, Presidenti Macron potencoi përkrahjen e tij për paqe, siguri dhe stabilitet në Kosovë dhe rajon.

    Në takim, ritheksuam rëndësinë e përfundimit të procesit të liberalizimit të vizave përgjatë presidencës çeke të Këshillit të BE-së, si dhe kërkuam vazhdimin e mbështetjes së Francës për integrimin euroatlantik të Kosovës dhe anëtarësimin në organizata tjera ndërkombëtare.


    OP-ED
    Nga Rubrika
    x

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark