×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Vjosa Osmani kap shtetin, fut në komision disiplinor ish-shefin e motrës së saj dhe Rron Gjinovcin

    Insajderi
    26 January 2021 - 18:20
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani, ka hedhur hapat e parë për kapjen e shtetit. Ajo ka krijuar një komision disiplinor për të hetuar sekretarin e Presidencës, Driton Gashi, në përbërjen e së cilit ka emëruar Bardhyl Hasanpapajn, themeluesin e një firme lokale ligjore. Në këtë firmë ka punuar Flakrina Osmani, motra e u.d. të presidentes dhe Artan Murati, këshilltari aktual i Vjosa Osmanit. Pjesë e komisionit është edhe opinionisti Rron Gjinovci – ish aktivist i Vetëvendosjes. Rasti të cilin pritet ta shqyrtojnë ka të bëjë me dokumente të klasifikuara, për çka do të duhej një verifikim paraprak nga ana e AKI-së.

    Zyra e Presidentit të Kosovës, e udhëhequr nga u.d. Vjosa Osmani, kishte kryer edhe një lëvizje tjetër më 6 janar të këtij viti kur kishte shpërbërë kuvendin dhe shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

    Atë ditë, ushtruesja e detyrës së presidentes kishte bërë një hap që ndërlidhet me sekretarin e suspenduar të Presidencës, Driton Gashi.

    Një dokument të cilin e ka siguruar Gazeta Insajderi, tregon se më 6 janar Osmani kishte nënshkruar vendimin për themelimin e Komisionit Disiplinor ‘Ad Hoc’ për Nivelin e Lartë Drejtues që do të hetojë shkeljet e pretenduara të Driton Gashit.

    Vendimi implikon, mes tjerash, edhe dy figura: Bardhyl Hasanpapajn, një personalitet i lidhur me njerëzit e afërt të Vjosa Osmanit dhe Rron Gjinovcin, ish-aktivist i Vetëvendosjes dhe drejtor i OJQ ORCA, e cila merret me çështjet e arsimit.

    Bazuar në vendimin e Presidencës, Osmani ka emëruar Bardhyl Hasanpapajn dhe Rron Gjinovcin si pjesëtarë të komisionit të ngritur për hetimin e sekretarit të suspenduar të Presidencës.

    Të dy janë angazhuar në cilësinë e “personaliteteve të pavarura”. Por, aktivitetet e tyre publike dëshmojnë të kundërtën.

    Insajderi ka zbuluar se aktiviteti i Bardhyl Hasanpapajt, të angazhuarit në komisionin disiplinor si “personalitet i pavarur”, ndërlidhet ngushtë me njerëz të afërt të Vjosa Osmanit.

    Ai është themelues i ndërmarrjes me përgjegjësi të kufizuara që ofron shërbime ligjore dhe konsultimi, “Kosovo Legal Services Company (KLSC)”, pjesë e së cilës ka qenë për tri vite edhe Flakrina Osmani, motra e Vjosa Osmanit.

    Familjarja e u.d. të presidentes ka punuar në biznesin e themeluar nga Hasanpapaj nga viti 2018 deri në muajin janar të këtij viti (2021). Ka udhëhequr një projekt të financiar nga Bashkimi Evropian përmes “KLSC”-së.

    Në firmën e themeluar nga Hasanpapaj, në të cilën ai ka ushtruar funksionin e drejtorit nga viti 2012 deri më 2019 – sipas rrjetit social LinkedIn – ishin punësuar edhe njerëz të tjerë të afërt me u.d. të presidentes. Në uebsajtin e kompanisë “KLSC”, Hasanpapaj ende figuron si drejtor i saj.

    Rreth një vit më parë, në kompani ishte punësuar Artan Murati, tash këshilltar i Vjosa Osmanit. Punësimin e tij e kishte prezantuar Hasanpapaj në Facebook, më 16 janar të vitit të kaluar. Murati ende figuron si “këshilltar i lartë ligjor” në uebfaqen e internetit të firmës.

    Artan Murati ka konfirmuar se ka ekzistuar një marrëdhënie pune ndërmjet tij dhe firmës “KLSC”. Por, ai ka mohuar ekzistimin e kontaktit mes tij dhe Hasanpapajt, pavarësisht prej faktit se një postim i faqes së “KLSC”-së në Facebook tregon të kundërtën.

    Sipas postimit të publikuar më 16 janar 2020 në rrjetin social Facebook, Murati ishte prezantuar si i punësuari më i ri në kompani, në një fotografi që e shfaq atë përkrah Bardhyl Hasanpapajt.

    Në një përgjigje me shkrim për Gazetën Insajderi, Murati ka deklaruar se ka ushtruar funksionin e konsulentit ligjor në firmën “KLSC” nga muaji nëntor i vitit 2019, deri në janar të 2020-s.

    “Unë kam qenë i angazhuar në KLSC si konsulent/këshilltar ligjor, dhe në atë kompani kam punuar për vetëm tre muaj, përgjatë periudhës nëntor 2019 – janar 2020. z. Hasanpapaj nuk ka qenë drejtor i kompanisë”, ka thënë këshilltari aktual i u.d. të presidentes.  

    Ai ka mohuar të ketë qenë i angazhuar në kompaninë “KLSC”, pas muajit janar të vitit 2020.

    “Angazhimi im ka qenë i bazuar në projekt, të cilin e ka implementuar kompania dhe i cili është financuar nga Bashkimi Evropian”.

    Sipas Muratit, “në asnjë rrethanë” ai nuk ka pasur “asnjë lidhje, komunikim apo diskutim me z. Hasanpapaj lidhur me çështjen për të cilën ju interesoheni”. 

    Gazeta Insajderi, përmes e-mailit ka kërkuar sqarime nga Hasanpapaj për afërsinë e tij me njerëzit e u.d. të presidentes dhe nëse kjo lidhje ka ndikuar për angazhimin e tij në këtë komision, por deri në momentin e publikimit të artikullit ai nuk është përgjigjur. Sqarime nuk ka dhënë as Zyra e u.d. të presidentes, Vjosa Osmani.

    Ndërkaq, një pjesëtar tjetër i komisionit që do të shqyrtojë shkeljet e pretenduara të sekretarit të Zyrës së Presidentit të Kosovës, është Rron Gjinovci, një ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje dhe përkrahës publik i kësaj partie dhe Vjosa Osmanit.

    Rreth tri javë para se të angazhohej si “personalitet i pavarur” i komisionit disiplinor, Gjinovci kishte konstatuar në cilësinë e komentuesit publik se incidenti i kasafortës së sigurisë në Presidencë shpërfaq “një skandal tepër të madh” të Agjencisë Kosovare për Inteligjencë (AKI).

    “Skandali me AKI-në dhe tentativën e AKI-së mos me leju presidenten aktuale me i kry funksionet, pra duke e privu nga informacionet, është tepër i madh”, kishte shkruar Gjinovci në një postim në Facebook më 18 dhjetor.

    Nga konstatimet publike lidhur me incidentin e kasafortës – për të cilin u suspendua sekretari i Presidencës, – Gjinovci ka deklaruar se nuk është thirrur në komision për shkarkimin e Driton Gashit. Të hënën në mbrëmje, ka thënë se do të angazhohet për vlerësim të pavarur në raport me shkeljet e pretenduara të sekretarit Gashi.

    Komisioni i ngritur nga Zyra e Presidentit të Kosovës për hetimin e shkeljeve të dyshuara të Driton Gashit, përveç Hasanpapajt dhe Gjinovcit ka në përbërje edhe tre zyrtarë të tjerë, siç parasheh ligji.

    Mahije Haradinajn, zyrtare e Zyrës së Presidentit, Gentiana Islamaj nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, si dhe Ismet Krasniqi nga Kuvendi i Kosovës.

    Komisioni Disiplinor për shqyrtimin e shkeljeve të pretenduara të sekretarit Gashi është ngritur në mbështetje të dy ligjeve dhe dy rregulloreve në fuqi të institucioneve të Kosovës.

    Ushtruesja e detyrës së presidentes, Vjosa Osmani e themeloi këtë komision disiplinor në mënyrë ad-hoc, duke u mbështetur në Ligjin për Presidenten e Republikës së Kosovës, Ligjin për Zyrtarët Publik, si dhe rregulloret për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues dhe asaj për Strukturën Organizative të Presidencës.

    Sipas nenit 24 të Rregullores për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues, të hyrë në fuqi vitin e kaluar, procedurat disiplinore, për kategorinë e lartë drejtuese në institucionin tjetër shtetëror “zhvillohen nga Komisioni Disiplinor për nivelin e lartë drejtues i themeluar nga titullarit i institucionit i themeluar ad-hoc”.

    Sipas paragrafit të parë të këtij neni, komisioni themelohet me përbërje si në vijim: 1.1. udhëheqësi i Njësisë për Menaxhimin e Burimeve 1.2. dy (2) nëpunës të kategorisë së lartë drejtuese, dhe dy (2) personalitete të pavarura me përvojë profesionale dhe integritet të mirënjohur, përfaqësues të shoqërisë civile.

    Ndërkaq, paragrafi 3 i nenit 24 të rregullores për Pranimin, Vlerësimin dhe Disiplinën e Nëpunësve të Lartë Drejtues, thotë shprehimisht se “dy (2) anëtarët e KD-së (personalitetet e pavarura) përfitojnë një pagesë fikse për çdo procedurë disipline dhe ankese”.

    Ndërsa, neni 11 i së njëjtës rregullore e specifikon saktë pagesën prej 250 eurove për anëtarët e jashtëm të anagzhuar në komisione disiplinore.

    “Pagesa e anëtarëve të jashtëm të komisioneve të pranimit (ekspertët e jashtëm) 1. Anëtari i Komisionit si ekspert i jashtëm në KSHP dhe KP, përfitojnë një pagesë fikse për çdo procedurë konkurrimi në të cilën marrin pjesë. 2. Pagesa fikse është 250 Euro e cila paguhet për secilën procedurë të konkurrimit për ekspertin e angazhuar”, thuhet në rregullore.

    Driton Gashi është suspenduar nga pozita e Sekretarit të Përgjithshëm të Zyrës së Presidentit më 15 dhjetor 2020, me vendim të u.d. së presidentit, Vjosa Osmani.

    Suspendimi i Gashit ndërlidhet me tentim-hapjen e kasafortës së sigurisë, kishte raportuar Insajderi në fund të vitit të kaluar.

    Ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në ditën e parë të punës së Vjosa Osmanit në Presidencë.

    Një pjesëtar i AKI-së kishte shkuar në Presidencë dhe në prezencën e sekretarit Driton Gashi dyshohet se kishte tentuar ta hapte kasafortën e sigurisë ku ndodheshin dokumentet e klasifikuara.

    Në një prononcim për mediat në mesin e dhjetorit, Gashi kishte mohuar hapjen e kasafortës. Kishte thënë se dëshmitare e ngjarjes ka qenë edhe Vjosa Osmani.

    “Unë kam qenë dëshmitar në këtë ngjarje bashkë me u.d. e presidentes dhe zyrtarin e AKI-së. Unë jam dëshmitar i ngjarjes krahasuar me të tjerët që po deklarohen në studio se është hapur sefi. Nuk është hapur sefi”, kishte thënë Gashi për Klan Kosovën.

    Ai po ashtu ishte shprehur se çdo gjë është bërë në mënyrë protokollare, “është njoftuar AKI jo për të marrë informacione, por ka ndodhur për shkak se informacionet kanë qenë të AKI-së për presidentin”.

    Suspendimi i tij nga detyra kishte ardhur një ditë pas koordinimit mes u.d. të presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë Avdullah Hoti për lirimin nga detyra të Kreshnik Gashit, shefit të AKI-së.

    Kërkesa e Hotit për lirimin nga detyra të kryespiunit të Kosovës, po ashtu dyshohet se ndërlidhej me incidentin e kasafortës së Presidentit.

    Driton Gashi është bashkëpunëtor i Hashim Thaçit, ish-presidentit të Kosovës, i cili po mbahet në paraburgim në Hagë.

    Gashi kishte ushtruar funksionin e shefit të AKI-së nga muaji shkurt i vitit 2017 deri në mars të 2018-s. Më parë, ai kishte punuar në Ministrinë e Punëve të Brendshme si këshilltar i ish-ministrit, Zenun Pajaziti nga radhët e PDK-së. /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark