×
Hulumtime/Analiza / Analiza

Vjosa Osmani – nga mandatimi për kryeministre, tek dy postet “dhuratë” dhe shkarkimi i saj nga LDK

Insajderi
01 January 2021 - 18:04
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Vjosa Osmani gjatë 2020-ës i ka drejtuar dy nga institucionet më të rëndësishme të shtetit: Presidencën dhe Kuvendin. Të dy postet i mori si “dhuratë” nga Lidhja Demokratike e Kosovës, nga e cila e përjashtuan . Nisma e re politike, duket të jetë dhurata e saj për veten gjatë 2021.

Njomza Salihi

Kur më 26 gusht të 2019, Lidhja Demokratike e Kosovës, e mandatoi Vjosa Osmanin kandidate për Kryeministre të vendit, nuk mungoi përqafimi i ngrohtë në mes të saj dhe liderit të partisë, Isa Mustafës.

Nën entuziazmin e këtij momenti, Osmani atë kohë dha edhe premtimin e parë.

“I garantoj qytetarët e Kosovës, që asnjëherë më, nga sot e tutje nuk do të ndihen se nuk kanë zë”, pati thënë Osmani atë ditë.

Pavarësisht mbështetjes që mori nga partia, dhe jo vetëm, Vjosa Osmani i humbi zgjedhjet kundrejt Albin Kurtit.

Ky moment nuk ndikoi në prishjen e raporteve e Osmani-Kurti, përkundrazi ato u forcuan edhe më, shkruan Gazeta Insajderi.

Osmani nuk e votoi rrëzimin e qeverisë Kurti, kur partia e saj e paraqiti mocionin e mosbesimit më 3 qershor. Si pasojë e këtij veprimi ndodhi krisja e madhe ndërmjet saj dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Udhëheqësi i kësaj të fundit, e përjashtoi gruan që kishte marrë 176 mijë vota nga strukturat e partisë së tij.

“…sa i përket propozimit për lirimin e znj. Vjosa Osmani nga pozita e nënkryetares dhe nga Kryesia e LDK-së, nga 123 anëtarë aktual të Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së janë përgjigjur 95 anëtarë, prej tyre 70 janë shprehur për (Po); 16 janë shprehur kundër (Jo), 9 kanë abstenuar dhe 28 nuk janë përgjigjur, s’kanë marrë pjesë në votim”, shkruante Mustafa në njoftimin e datës 20 qershor.

Pas shkarkimit, Osmani tha se ajo u diferencua nga partia e tij sepse siç tha, nuk ndryshoi qëndrimet e saja.

 “Gara e vërtetë është para qytetarëve, edhe pse shumica dërmuese prej jush diferencues, jeni aq frikacakë sa nuk do të guxoni të dilni në atë përballje, por sërish do të fshiheni prapa dikujt tjetër. Por përballja e madhe do të ndodhë. Mua më ka ngritur populli dhe vetëm ai do të mund të më rrëzojë”, pati thënë Osmani.

U.d Presidente dhe Kryetare e Kuvendit – dy postet e ‘dhurura’ nga partia e vjetër

Më 9 nëntor të 2020-ës, Vjosa Osmani, e ka marrë zyrtarisht pozitën e ushtrueses së detyrës së Presidentit.

Kjo ndodhi pas dorëheqjes së Hashim Thaçit, ndaj të cilit tij u konfirmua aktakuza nga ana e Gjykatës Speciale në Hagë.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, nenit 90, në rast se Presidenti i Republikës së Kosovës përkohësisht nuk është i aftë për të përmbushur përgjegjësitë e tij, ai mund t’ia kalojë vullnetarisht detyrat e postit të tij Kryetarit të Kuvendit, pozitë të cilën e mban Vjosa Osmani që nga 3 shkurti i 2020-ës, shkruan Gazeta Insajderi

Të dy postet, atë të parës së Kuvendit, dhe rrjedhimit edhe të të parës së shtetit, Osmani i ka marrë si “dhuratë” bazuar në marrëveshjen për koalicion qeverisës të arritur ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Ajo e ka pasuar në këtë pozitë Glauk Konjufcën nga Lëvizja Vetëvendosje, i cili ishte zgjedhur kryetar i Kuvendit më 26 dhjetor, 2019, por pas marrëveshjes mes dy partive, Konjufca pati kaluar në pozitën e ministrit të Jashtëm të Kosovës.

Osmani ishte e vetmja që fitoi në këtë mes, shkruan Gazeta Insajderi.

Pavarësisht rrëzimit të qeverisë, dhe prishjes së raporteve VV-LDK, por edhe largimit të saj nga kjo e fundit – e njëjta vazhdon të mbajë dy postet më të rëndësishme shtetërore – falë partisë të cilës i përkiste.

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, dhe e ardhmja e Vjosa Osmanit në politikë

Për dy ditë, u.d së Presidentit Vjosa Osmani, ka pritur në zyrën e saj të gjithë përfaqësuesit e partive politike për ta caktuar datën e zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare.

Takimi i thirrur nga Osmani, vjen pasi Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka shpallur të pavlefshëm votimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga Avdullah Hoti nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK).

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese vjen pasi vota e deputetit Etem Arifit u konsiderua e pavlefshme, pasi ndaj tij kishte një dënim të formës së prerë me mbi një vit burgim, shkruan Gazeta Insajderi.

Tashmë dihet me siguri se zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare janë të pashmangshme, qysh në nisje të vitit 2021.

Çfarë ende nuk dihet është e ardhmja e Vjosa Osmanit në këto zgjedhje.

Ish-kandidatja për kryeminstre ka paralajmëruar themelimi e një iniciative të re politike, por që deri tash ende nuk ka konkretizuar asgjë, shkruan Gazeta Insajderi.

Mbetet të shihet nëse Vjosa Osmani do të jetë pjesë e listës së Lëvizjes Vetëvendosje, ashtu siç është përfolur jo zyrtarisht, apo do të garojë e vetme me iniciativën e saj politike. /Gazeta Insajderi

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark