09:01 - 21 Shtator 2020

Pas tridhjetë vjetësh shkova në Ulëza për të mbledhë vojsa. I mbaja mend dy trupa vojse, por tash ishte vetëm një. Trupi i vetëm dukej se nuk e kishte të gjatë – gjysma e degëve i ishin tha dhe mezi i kish mbajtë e pjekë frutet. Të shijshme po se po, por edhe shumë të veçanta. I bindur se kjo ishte hera e fundit që e shihja atë trup vojse, m’u kujtu rrëfimi i David Crystal në librin e tij “Language death” (Vdekja e gjuhës), kur ai përshkruante momentin e vdekjes së folësit të fundit aktiv të një gjuhe të një fisi të vogël indigjen në Kamerun. Bëhej fjalë për gjuhën Kasabe, folësi i fundit aktiv i së cilës, Bogon, kishte vdekur pak ditë para se Crystal ta vizitonte për herë të dytë që të vilte leksikun e asaj gjuhe nga folësi i vetëm i mbetur… Unë e gjeta vojsën dhe arrita të mblidhja pak nga frutet e saj të fundit, me sa duket.

Meqë bëhet fjalë për një frute shumë të veçantë, edhe vitin e kaluar pata shkruar në facebook dhe reagimi qe mjaft interesant, pasi mësova se kishte vojsa në disa vende të Kosovës e më gjerë. Ndërkaq, sot kolegia dhe mikja ime Giuseppina Turano më tregoi se në Kalabari i thënkan ‘vadhëz’, e studiuesi Nebi Caka dha edhe variante të tjera të së njëjtës origjinë (vadhëz, voesë, vojsë…), një pjesë të të cilave i kemi mësuar në fonetikën historike, duke analizuar ndryshimet fonetike të tingujve përgjatë historisë. Ndërkaq miku tjetër Martin Berishaj më tregoi se në Malësi të Madhe i thënkan ‘kllapeshë’.

Dikush mund të mendojë se nuk bëhet nami nëse nuk ka vojsa. Saktë. Tridhjetë vjet nuk kam provuar vojsat dhe, ashtu të lëna pasdore, ato po zhduken – shumë njerëz, sidomos studentët e mi, që janë të rinj në moshë, ashtu si edhe fëmijët e mi, nuk e dinin se çka është vojsa. Nëse i kthehemi rrëfimit të David Crystalit për gjuhët moribunde apo në vdekje a shuarje e sipër, situata mund të krahasohet me vojsat a me pandat si një ndër kafshët më të rrezikuara nga zhdukja aktualisht në botë. Gjuhët, kafshët dhe bimët zhduken për shkak të papërgjegjësisë njerëzore dhe ne bëhemi më të varfër. Ne si lloji më superior në natyrë kemi përgjegjësi për të gjitha pasuritë që na veniten e zhduken, nga neglizhenca jonë.

Përfshirja e Gius Turanos në diskutimin e sotëm për vojsat, më çoi te gjendja e arbërishtes sot. Arbërishtja nuk hynte te gjuhët e rrezikuara në Librin e Kuq të UNESCO-s. Por në Atlasin e gjuhëve të rrezikuara të vitit 2012, arbërishtja konsiderohet gjuhë e rrezikuar (definitely endagered), ndërkaq faktorët demografikë e socialë e rrezikojnë seriozisht këtë gjuhë që ka mbijetuar më se 600 vjet e shkëputur nga trualli ku zhvillohet simotra e saj, shqipja. Është meritë e studiuesve arbëreshë ruajtja e deritashme e arbërishtes dhe ndonjë kontribut i vogël i këtejdetit, si ai i Seminarit Ndërkombëtar për Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare që nga 1974 i ka mbajtur lidhjet e forta direkte ndërmjet arbëreshëve dhe shqiptarëve. Tashmë, këta faktorë nuk sigurojnë ruajtjen e arbërishtes. Ndoshta rreth më shumë se një vit, kur presidenti i Kosovës e pati vizituar Kalabrinë, një këshilltari të tij i pata sugjeruar që që të ofrojnë mbështetje financiare për shkollat në Kalabri e Sicili që të mund të vazhdojë mësimi i arbërishtes (jo i shqipes së sotme, por i arbërishtes), meqenëse kjo është e lejuar me ligj në Itali, por ka telashe financiare. Një ndërhyrje e tillë, Kosovës nuk do t’i kushtonte asgjë, e arbërishten do ta shpëtonte ose së paku do t’ia zgjaste jetën edhe për disa shekuj. Nuk e di nëse e dini se arbëreshët në Kalabri, gjuhë e të parë e kanë arbërishten, ndërsa italishten e mësojnë si gjuhë të dytë në shkollë dhe nga media. Besoj e kuptoni që kjo kërkesë imja u injorua – arbërishtja do të vazhdojë të gjëllijë falë traditës dhe studiuesve të shumtë dhe entuziastë arbëreshë, por a thua për sa dhe si do ta shërojmë ndërgjegjen dy shtete shqiptare, të cilat vetëm pak më u përmbajtë nga vjedhjet e keqpërdorimet, do të mund t’i dilnin zot arbërishtes. Të paktën sa me ua kthy borxhin De Radës, Darës së Ri, Serembes, Skiroit, Varibobës, por edhe Gianni Beluscios, Belushit, Altimarit e studiuesve më të rinj, si Turano e Conforti dhe entuziastëve të tjerë si Chiaramonte etj.

Po arbënishtja e Arbneshit? Duke qenë e folur nga një popullatë më e vogël, arbënishtja e Zarës është në gjendje shumë të keqe sesa arbërishtja e Italisë së Jugut. Folësi më i ri aktiv i arbënishtes është tashmë 47 vjeç dhe me gjithë përpjekjet e Maximilijana Barançiqit dhe Ivica Mateshiqit (tashmë të ndjerë), situata ka mbetur pothuaj e pandryshuar. Përpjekjet tona si Degë e Gjuhës Shqipe, kanë kthyer paksa entuziazmin, por situata duket e pashpresë. Rektori i deritashëm i UP-së, Marjan Dema ka bërë përpjekje institucionale, por sërish… Ka nevojë për një dorë shteti, për ndihmë konkrete institucionale. Nuk mjafton të vizitohen Kalabria, Sicilia e Zara, por edhe të ndihmohet falë marrëdhënieve të mira të Kosovës e Shipërisë me Italinë e Kroacinë. Për arvanitishten, shpresat tashmë janë shuar. Në Atlasin e UNESCO-s për gjuhët e rrezikuara (2012), dalektet arvanite konsiderohen “të rrezikuara rëndë” (severely endagered) ashtu si edhë arbënishtja e Zarës. Nuk mjafton me i inskenu dramat e Relës as me postu në rrjete sociale fotografi me Stipçeviqin pak para vdekjes.

Unë sot i vola nja 40 a 50 frute të vojsës por nuk më shkoi mendja për ta mbjellë a përtëri. A mjafton që më erdhi keq që ajo pemë, e fundit e llojit të saj po thahej dhe se vitin e ardhshëm s’do të mund të jepte fryte? Nuk besoj.