FBI ka konfirmuar se një trup i gjetur brenda një parku kombëtar të Wyoming i përket vlogeres së zhdukur, Gabby Petito. Një mjek ligjor tha se vdekja e saj ishte vrasje, por nuk dha asnjë të dhënë se si vdiq.
Petito, 22 vjeçe, ishte duke vizituar Parkun Kombëtar Grand Teton me të fejuarin e saj, Brian Laundrie, 23 vjeç.
Policia aktualisht është duke kërkuar për Laundrie, vendndodhja e të cilit nuk dihet.
Ai konsiderohet një “person me interes” në këtë çështje, por nuk është akuzuar për ndonjë krim. Laundrie kishte refuzuar të fliste me hetuesit para se të zhdukej.
Çifti kishte udhëtuar për disa javë para se Laundrie të kthehej në shtëpi në Florida vetëm me furgonin e tyre më 1 shtator.
Ai nuk kontaktoi policinë ose familjen Petito kur u kthye. Familja e Petito raportoi se ajo ishte zhdukur 10 ditë më vonë.
Disa javë më parë, policia në qytetin e Moabit në Utah u thirr për një incident të mundshëm të dhunës në familje.
Pamjet e kamerave të trupit treguan Petito duke qarë dhe duke u ankuar për shëndetin e saj mendor.
Një raport policor më vonë tha se Laundrie pretendoi se Petito e kishte goditur atë gjatë një grindjeje.
Asnjë akuzë nuk u ngrit, ndërsa policët i rekomanduan çiftit ta kalonin natën të ndarë. Ajo që ndodhi më pas është e paqartë.
Ç’thonë dëshmitarët?
Dje, një vajzë e quajtur Nina Angelo tha për CNN se ajo dhe i dashuri i saj, Matt England, ishin dëshmitarë të një “sherri” që përfshinte çiftin Petito-Laundrie, ndërsa po largoheshin nga restoranti The Merry Piglets Tex-Mex në Jackson, Wyoming.
Angelo tha se Petito ishte në lot dhe Laundrie ishte dukshëm i zemëruar, hynte dhe dilte nga restoranti disa herë, duke treguar zemërim edhe ndaj stafit.
Megjithatë, Angelo tha se ajo nuk pa dhunë ose grindje fizike midis Petito dhe Laundrie.
Një menaxhere në The Merry Piglets, e cila refuzoi të japë emrin, tha për CNN se ajo pa një incident në restorant më 27 gusht dhe thirri FBI’në. Menaxherja nuk pranoi ta përshkruajë atë që ndodhi dhe tha se restoranti nuk kishte video mbikëqyrëse të incidentit.
Një tjetër dëshmitare e identifikuar si Jessica Schultz tha për San Francisco Chronicle se ajo pa Laundrie duke parkuar një furgon të bardhë më 26 gusht në Parkun Kombëtar Grand Teton dhe askush nuk dukej të ishte me të.
Ndërsa në një seri videosh në TikTok, Miranda Baker tha se ajo dhe i dashuri i saj e morën Laundrie në makinën e tyre më 29 gusht në Wyoming – dhe se ai pretendoi se ai po bënte kamping vetëm për disa ditë, ndërsa Petito ishte në furgonin e tyre duke punuar për postimet në mediat sociale.
Baker tha se ata e morën Laundrien në makinë, pasi ai ishte duke bërë autostop në Colter Bay, Wyoming, vend i cili nuk është larg nga vendi ku u gjetën eshtrat e Petitos.
Ai u ofrua të paguante 200 dollarë për udhëtimin para se të hipte në makinë, tha Baker.