Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq përpiqet të arsyetohet për deklaratën e djeshme kur ka thënë se mund të ketë konflikt me Kosovën, duke i quajtur “trillime” vlerësimet e politikanëve nga Kosova dhe Shqipëria se ai ka bërë thirrje për luftë “kur ka thënë se shembulli i Nagorno-Karabakh-ut tregon pse është e rrezikshme të mbash një konflikt të ngrirë”.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve, Vuçiq ka pretenduar se politikanët shqiptarë kanë “problemet e tyre të brendshme” për shkak të të cilave, sipas tij, “ata duhet të shpikin”.
“Unë fola për nevojën për të shmangur një politikë të konfliktit të ngrirë, ashtu që mbajtja e këtij konflikti do të nënkuptojë se çdokush në të ardhmen mund të na çojë në katastrofë. Ata e kuptuan mirë atë që thashë, ata thjesht duhet të transmetojnë diçka ndryshe sepse i kanë arsyet e tyre”, ka pretenduar Vuçiq duke u përpjekur të arsyetohet për deklaratën e djeshme.
Ai ka pretenduar se “se politika e Serbisë është të ruajë paqen dhe se ajo nuk mund ta arrihet nëse ekziston ndonjë konflikt dhe paqëndrueshmëri”./Insajderi.org.