Djali i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, Danilo Vuçiç, është ndaluar nga Policia e Kosovës gjatë qëndrimit të tij në Kosovë.
Policia i ka hequr bluzën me mesazhe provokuese që ai mbante.;
Pas përfundimit të ceremonisë, e cila u mbajt në Graçanicë, Policia e Kosovës ka ndalur mjetet ku ishte djali i presidentit serbë për t’i hequr bluzën, e cila mbante mbishkrime antiKosovë.
Danilo Vuçiq pas liturgjisë në manastirin e Graçanicës, ishte parë duke lëvizur nëpër qytezën e Graçanicës, i shoqëruar nga një grup serbësh dhe nga pjesëtarë të sigurimit.
Pas lajmit, ka reaguar Aleksandar Vuçiç, me nota ironie ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti.
“E përgëzoj Albin Kurtin për guximin e tij. Ai nuk është aq i guximshëm kur është përballë meje, por në rregull. Danilo nuk është i vogël, është pak më trim se Albin Kurti”.
Në Graçanicë, serbët festuan sot në Vidovdan. Liturgjitë fetare i udhëhoqi kreu i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije nga Manastiri i Graçanicës, ku tha se qëllimi i lutjes së Vidovdanit këtë vit është për paqen e serbëve.
Hapësira e Manastirit ishte e mbushur me simbole nacionaliste serbe. U shfaq harta e Kosovës me mbishkrimin nuk e japim. Qytetarët po ashtu kishin veshur bluza me mbishkrime që thoshin se Kosovën, djepin nuk e japin, djemtë nuk i japin.
Mesazhi më i qartë u përcoll përmes Danilo Vuçiçit. Pjesëmarrja e tij në liturgji dhe bluza me mbishkrimin “Dorëzimi nuk është opsion”, përçoi qëndrimin e serbëve.