Lëvizja Vetëvendosje po e ambalazhon si “urrejtje ndaj diasporës” vendimin që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa e mori, duke rrëzuar atë të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, që të votohet edhe jashtë konsullatave në diasporë.
Mefail Bajqinovci i VV’së me anë të një postimi në ‘Facebook’ ka deklaruar se “janë çu kundër mërgatës”, duke iu drejtuar LDK’së pasi që ajo ishte partia që kishte bërë ankesën, shkruan Insajderi.
“Jane çu kunder mergates. Po veç deri me 28 dhjetor”, deklaroi Bajqinovci.
Njësoj ka deklaruar edhe ministri në detyrë i Financave nga radhët e LVV’së, Hekuran Murati, ka deklaruar se LDK po bën çmos ta pengojë diasporën të votojë.
“A din dikush me tregu pse LDK-ja është kaq kundër diasporës? Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka ofru hapësira shtesë për votim (përveç ambasadave e konsullatave), ashtu që diaspora jonë me e pasë sa më afër vendvotimin dhe kësisoj sa më të lehtë procesin e votimit. LDK paraqet ankesë në PZAP për të kundërshtuar këtë lehtësim për diasporën. PZAP e miraton ankesën e LDK-së. Me deklarata LDK-ja e kërkon votën e diasporës, ama me vepra po shihet që po bën çmos që ta pengojë”, ka deklaruar Murati.
LDK në ankesën e tyre ka thënë se KQZ përmes këtij vendimi ka synuar të imponojë formë të re të organizimit të zgjedhjeve. /Insajderi.org/