Lëvizja Vetëvendosje ka thënë të shtunën se “eksponentë të LDK-së” kanë shantazhuar dhe pezulluar nga shkolla e mesme Fan Noli në Podujevë aktivistin e kësaj lëvizje, Rinor Hajrullahu.
“Me një vendim të drejtoreshës Vlora Ceraja Hajdini, dhe kujdestarit të klasës Xhevat Kapiti, aktivistit Rinor Hajrullahu, i shqiptohet masa ’pezullim i përkohshëm’, me arsyetimin se ‘nxënësi përhapë parulla politike në klasë në prezencë të profesorit’”, thuhet në një komunikatë për media të Vetëvendosjes.
Sipas tyre, drejtoresha e shkollës është e afërt me strukturat e LDK-së, dhe ajo ka ushtruar presion ndaj aktivistit Hajrullahu “duke e konsideruar veprimin e tij si “komunist”.
“Nën presionin policor, drejtoresha e shkollës, sekretari dhe kujdestari i klasës, kanë shantazhuar aktivistin Rinor Hajrullahu, se nëse ai nuk heq dorë nga aktiviteti i tij politik, rrezikon të burgoset dhe të torturohet nga policia”, thuhet në komunikatë.
Gjithashtu, Vetëvendosje thotë se pas shqiptimit të pezullimit, ”sekretari i shkollës Besim Latifi, anëtar i kryesisë së LDK-së në Besianë, e ka njoftuar Policinë e Kosovës duke e konsideruar aktivitetin e Rinorit, si ‘aktivitet terrorist’”.
“Pushteti autoritar i Agim Veliut, përmes futjes së eksponentëve partiak në udhëheqësinë e shkollave, ka instrumentalizuar arsimin lokal në shërbim të interesave të pushtetit, përmes ndjekjes së nxënësve aktivistë si dhe shantazhimit me largim nga puna të prindërve të aktivistëve të Lëvizjes”, thuhet në komunikatë.
Partia më e madhe opozitare ka bashkëngjitur në reagim edhe disa foto që sipas tyre argumentojnë se kujdestari i klasës së aktivistit dhe Sekretari Besim Latifi kanë marrë pjesë në aktivitete të LDK-së./Insajderi.com