Lëvizja Vetëvendosje thotë që subjekti i tyre po provokohet një ditë para protestës së 17 shkurtit, duke shtuar se policia ka ndaluar dy aktivistë të Lëvizjes afër zyrave të Vetëvendosjes. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga Lëvizja Vetëvendosja.
“Për disa minuta zyra e Lëvizjes Vetëvendosje ka qenë e rrethuar nga katër makina të policisë. Ne dyshojmë se këto janë provokime për shkak të organizimeve për protestën gjithë popullore të datës 17 shkurt”, thuhet në komunikatën e partisë opozitare.
Protesta e opozitës planifikohet të zhvillohet nesër, me fillim prej orës 14:00. Protesta është e organizuar nga tre partitë opozitare VV, AAK dhe Nisma.